Në epokën e informacionit të shpërndarë në kohë reale dhe në shkallë globale, dallimi mes faktit dhe manipulimit ka bërë që gazetaria të përballet me sfidën më të madhe të saj në shoqëritë demokratike.
Sot nuk mjafton të raportosh për atë që ka ndodhur; është po aq e rëndësishme të parashikosh, të parandalosh dhe të neutralizosh përpjekjet për të deformuar realitetin. Ky është qëllimi i gazetarisë preventive, një qasje që vepron si mburojë ndaj dezinformimit.
Gazetaria preventive është një disiplinë gazetareske që raporton herët për probleme urgjente shoqërore dhe për zgjidhjet e propozuara për këto probleme. Ajo plotëson gazetarinë tradicionale investigative dhe bazohet në parimin se gazetaria mund – dhe duhet – ta paralajmërojë qeverinë dhe shoqërinë për rreziqe dhe zhvillime problematike para se ato të shndërrohen në kriza. Në këtë kuptim, gazetaria preventive nuk reagon vetëm ndaj pasojave, por synon të parandalojë dëmet që mund të shkaktojë keqinformimi.
Fenomeni i dezinformimit nuk ndodh rastësisht: ai përshpejtohet në kohë pasigurie, krizash apo polarizimi politik, kur publiku ka nevojë urgjente për informacion, ndërsa institucionet shpesh vonohen në reagim. Dy raste të fundit në Kosovë – fushatat zgjedhore dhe sulmi i armatosur në Banjskë – ilustrojnë qartë se si hapësira informative mbushet shpejt me dezinformata, veçanërisht përmes mediave sociale. Pikërisht në këto rrethana, nevoja për gazetari preventive bëhet jo vetëm profesionale, por edhe demokratike.
Rasti i zgjedhjeve është veçanërisht domethënës. Gjatë fushatave, hapësira digjitale u mbush me keqinformata të ndryshme, përfshirë edhe ato të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Këto përmbajtje qarkulluan me shpejtësi në Facebook, TikTok dhe platforma të tjera, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin publik për integritetin e procesit zgjedhor. Në shumë raste, dezinformatat u përhapën shumë shpejt dhe masivisht. Gazetaria preventive, nga ana tjetër, do të kishte nënkuptuar informim të hershëm të publikut mbi mekanizmat e manipulimit zgjedhor, mënyrën se si fabrikohen përmbajtjet dhe rolin e algoritmeve në amplifikimin e përmbajtjeve emocionale.
Rasti tjetër, nga fusha e sigurisë, është sulmi në Banjskë. Në orët e para pas ngjarjes, mungesa e informacionit të verifikuar krijoi një hapësirë që u mbush shpejt me keqinformata dhe narrativa propagandistike me qëllime politike. Media sociale u shndërruan në burimin kryesor të “informimit” për shumë qytetarë, ndërkohë që spekulimet dhe interpretimet qarkulluan më shpejt sesa faktet. Ky rast tregoi se, në kohë krizash të sigurisë, mungesa e gazetarisë me rol preventiv rrit ndjeshëm rrezikun e panikut, polarizimit dhe manipulimit publik.
Në këtë kontekst, roli i gazetarisë si “watchdog” nuk mund të mbetet i kufizuar vetëm në mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore. Sot, gazetaria duhet të mbikëqyrë edhe ekosistemin informativ digjital: të monitorojë narrativat që qarkullojnë në media sociale, të identifikojë burimet e dyshimta, të shpjegojë kontekstin dhe të paralajmërojë publikun për përmbajtje potencialisht manipuluese. Kjo qasje është thelbësore në një kohë kur algoritmet e platformave favorizojnë përmbajtje që nxisin frikë, zemërim dhe ndarje shoqërore.
Gazetaria preventive është një zgjerim i përgjegjësisë profesionale të gazetarisë në rrethana të reja teknologjike dhe shoqërore. Ajo është proaktive, ndryshe nga gazetaria tradicionale që raporton ngjarjet pas ndodhjes së tyre ose gazetaria investigative që zbulon të fshehtat. Gazetaria preventive synon të identifikojë rreziqet informative, narrativat manipuluese dhe boshllëqet e informacionit para se ato të shndërrohen në kriza sociale, duke përdorur verifikim të hershëm, analiza shpjeguese, transparencë editoriale dhe bashkëpunim me organizata të kontrollit të fakteve (fact-checking).
Në thelb, ajo funksionon mbi tri parime kryesore: parashikimi, duke analizuar trendet dhe tensionet shoqërore për të kuptuar ku mund të godasë dezinformimi; paralajmërimi (pre-bunking), që “vaksinon” publikun duke i treguar paraprakisht metodat e manipulimit; dhe mbushja e boshllëkut informativ, duke prodhuar përmbajtje të shpejtë, të saktë dhe të qartë për t’u kuptuar, që t’iu pritet rruga teorive konspirative. Këto qasje e bëjnë gazetarinë preventive një mjet thelbësor për parandalimin e dezinformimit dhe ruajtjen e besimit publik.