Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet bashkëpunim në digjitalizimin e kujdesit shëndetësor

Parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi efikas përmes teknologjisë digjitale janë thelbësore për një shoqëri të shëndetshme, veçanërisht në këtë kohë të pandemisë, është thënë në një forum virtual organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës.

Jeta Statovci, deputete në Parlamentin e Kosovës, ka theksuar se sistemi shëndetësor duhet të adaptohet me nevojat e pacientëve. Ajo më tej tha se ka pasur hapësirë të mjaftueshme për inkuadrimin e shëndetësisë digjitale në sistemin shëndetësor, mirëpo nuk është bërë edhe pse ka qenë shumë e nevojshme, veçanërisht në një gjendje të jashtëzakonshme, siç është kjo e pandemisë. Statovci tutje rekomandoi se shteti i Kosovës mund të implementojë një sistem informativ shëndetësor, si në vendet e tjera, e cila ka rezultuar efikas në këtë aspekt.

“Kjo mungesë e digjitalizimi ka rezultuar në mungesën e historikut të të dhënave shëndetësore për secilin qytetar dhe kësisoj të dhënat shëndetësore të sektorit publik dhe privat duhet të centralizohen në mënyrë që pacienti të ketë një tretman më efikas” , ka thënë ajo.

Drejtori Ekzekutiv i Spitalit Amerikan, Igli Larashi e ka konsideruar të nevojshëm një bashkëpunim mes sektorit publik dhe privat për sektorin e shëndetësisë. Sipas tij, këto të dhëna të pacientëve që do të digjitalizoheshin duhet përfshirë në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Larashi, për më tepër, rekomandoi se në mënyrë që në Kosovë të ketë një sistem të mirëfilltë digjital, Kosova duhet të përfitoj prej eksperiencës së mjekëve të huaj.

Veç kësaj, sa i përket sistemit shëndetësor digjital, Armend Vokshi, drejtor Menaxhues në Klinikën Amerikane, theksoi se Kosova nuk duhet ta kopjojë sistemin e vendeve të tjera, por duhet ta përshtatë atë sipas nevojave të vendit. Vokshi, po ashtu, sugjeroi se qeveria duhet ta rrisë ndërgjegjësimin për shëndetësinë digjitale dhe të merret me implementimin e këtij sistemi. Më tej, ai bëri apel që të rritet procesi i monitorimit sa i përket zbatimit të ligjeve ekzistuese.

Moderatori i këtij forumi, Dorjan Berishaj, bashkëthemelues i kompanisë softuerike Zombie Soup, vëri në pah dallimet mes sistemit shëndetësor në Kosovë dhe atë në vendet tjera me sistem të avancuar. Ai më tej theksoi dobitë që ka ofruar përkujdesja e shëndetit digjital në kursimin e buxheteve të shteteve në trajtimin e sëmundjeve kronike.