Ekzekutivi lokal i Prizrenit ka proceduar për në Kuvendin e Komunës propozimin për anulimin e vendimit për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur, që ishte miratuar në seancën e mbajtur me datë 21 maj 2021. Ky vendim është kthyer prapa për rishqyrtim nga niveli qendror, me arsyetimin se është i kundërligjshëm. Në propozimin e qeverisë komunale përmendet kërkesa e MAPL-së për rishqyrtimin e këtij vendimi, sikurse edhe pamundësia e nivelit lokal për plotësimin e kërkesave ligjore të cekura nga niveli qendror.
Vendimi i KK-së së Prizrenit për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur ishte miratuar më datë 21 maj 2021 dhe një javë më pas ishte parashtruar për shqyrtim në MAPL. Kjo e fundit më datë 31 maj 2021 e ka proceduar në Ministrinë e Financave, sikurse edhe plotësim ndryshimin e vendimit të dërguar sërish për shqyrtim nga Komuna Prizrenit me datë 11 qershor 2021.
Ministria e Financave pas shqyrtimit të këtij akti ka vlerësuar si i njëjti nuk është në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
MF-ja në shkresën e saj ka bërë të ditur se në versionin e parë të vendimit të KK-së së Prizrenit nuk është specifikuar kategoria, nga e cila synohet realizimi i masës së përcaktuar në aktin komunal. Pas kërkesës së MF-së, Komuna ka sqaruar se ndarja e mjeteve financiare do të realizohet nga kategoria mallra dhe shërbime si dhe kategoria subvencione dhe transfere.
Duke shqyrtuar mundësinë e Komunës për realizimin e vendimit përmes këtyre kategorive, MF-ja ka konsultuar legjislacionin përkatës.
"Ministria, në konsultim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Buxhetit, si dhe me strukturat përgjegjëse të Ministrisë për buxhetin e Komunës së Prizrenit, ka evidentuar se organizata buxhetore në fjalë nuk i ka të planifikuara, e as të miratuara publikisht shpenzimet e potencuara me aktin administrativ komunal. Kjo, rrjedhimisht, bie ndesh me frymën e LMFPP-së, si dhe me limitet e përcaktuara për organizatën buxhetore me Ligjin e Buxhetit", thuhet në shkresën e MF-së, në të cilën kërkohet që Komuna në procedim të mëtejshëm me aktin komunal të veprojë në përputhje me dispozitat e LMFPP-së.
MF ka theksuar se Komuna rregullimin e ndarjes buxhetore deri në 5 për qind mund ta bëj në formë vetjake, derisa mbi këtë përqindje i duhet aprovimi i MF-së, Qeverisë, ose Kuvendit të Kosovës, varësisht nga përqindja e rregullimit që synohet.
"Nëse Komuna e Prizrenit, edhe pas marrjes në konsideratë të gjeturave të mësipërme, konstaton se nuk ka mjete të disponueshme për realizimin e këtij vendimi në vitin 2021 dhe rregullimi i ndarjes buxhetore është i pamundshëm mbi të njëjtat premisa, vlerësohet se kemi të bëjmë me tejkalim buxhetor, dhe në këtë kontekst, Ministria i rikujton Komunës që të veprohet në përputhje me mundësitë buxhetore komunale, si dhe në pajtim me përgjegjësitë e organizatave buxhetore në shpenzimin e parasë publike, ashtu të përcaktuar me dispozitat ligjore në LMFPP".
Duke u bazuar në këtë MF-ja ka propozuar që MAPL-ja të kërkojë nga Komuna e Prizrenit harmonizimin e këtij akti me dispozitat ligjore në fuqi brenda afatit prej 30 ditësh.
Anëtarët e KK-së së Prizrenit në vazhdimin e seancës së tretë patën miratuar vendimin e sipërpërmendur. Këshilltarja, Sadije Osaj-Jakupi duke paraqitur kërkesën e Grupit të Grave pati propozuar që prindërit me banim të përhershëm në Komunën e Prizrenit nga janari i vitit 2021 të mbështeten me nga 250 euro për fëmijën e parë, 300 euro për fëmijën e dytë dhe 350 euro për fëmijën e tretë dhe më tej. Ajo pati theksuar se kërkesa për miratimin e ndihmës financiare për çdo fëmijë të porsalindur është bërë dy vjet më parë nga Grupi i Grave të Kuvendit të Prizrenit, sikurse që edhe nga disa këshilltarë të tjerë.
Gjatë diskutimeve është adresuar vërejtja se për këtë çështje duhet të ofrohet edhe një sqarim nga Ekzekutivi, por propozimi është vënë në votim nga kryesuesi i KK-së.
“Po votohet, por s’mund të realizohet”, ka qenë komenti i drejtorit të Administratës, Osman Hajdari, ndërkohë që kryesuesi Sulltan Badallaj pati konstatuar se me 26 vota për dhe 1 abstenim miratohet ky vendim.
Mbledhja e radhës së KK-së së Prizrenit planifikohet që të mbahet më 9 shtator 2021.