Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), nuk ka dhënë detaje për shkeljet e Kuvendit të Fushë-Kosovës në vendimin për themelimin e drejtorive të reja dhe për bartjen e mjeteve nga viti 2021 në atë 2022.
Në përgjigjen e Divizionit për Komunikim Publik (DKP) të MAPL-së dërguar KOHËS, vetëm thuhet se vendimi i parë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndërsa për vendimin e dytë, se është duke u shqyruar nga një ministri tjetër.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, shtojcën I, pika 9 të Rregullores (QRK) - Nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, pas shqyrtimit të kërkesës sqaron se: Aktet e miratuara nga kuvendi i komunës, i nënshtrohen shqyrtimit të detyrueshëm të lirshmërisë ashtu siç parashihet me nenin 81 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe Rregulloren (QRK) Nr. 10/2019 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave”, thuhet në përgjigjen e DKP-së të MAPL-së. “Aktet e komunës të cilat miratohen për fusha për mbikëqyrjen e të cilave nuk është kompetente MAPL, përgjegjëse janë ministritë e linjës, institucionet dhe agjencitë tjera qendrore të cilat shërbejnë si organe mbikëqyrëse, siç përcaktohet në nenin 7, të Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave”.
Tutje në përgjigjen e Divizionit për Komunikim Publik të MAPL-së thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përmes shkresës përcjellëse (MAPL) Nr. 020-144/5, të datës 24.02.2022, ka njoftuar Komunën e Fushë-Kosovës se vendimin për aprovimin e propozimit Nr. 23 të datës 20.01.2022 për themelimin e tre drejtorive është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe në afat prej tridhjetë (30) ditëve duhet të rishqyrtohet nga Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës, siç përcaktohet në nenin 82.2 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.
“Ndërsa përmes shkresës përcjellëse (MAPL) Nr.020-144/3 të datës 11.02.2022, ka dërguar për shqyrtim të ligjshmërisë, vendimin e datës 31.01.2022 për lejimin e bartjes së mjeteve financiare të pa shpenzuara nga të hyrat vetanake të vitit fiskal 2021 në vitin fiskal 2022, në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila është kompetente për shqyrtimin e ligjshmërisë se këtij akti.MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie.
Por, e njëjta nuk i ka zbardhur se për çfarë shkeljesh ligjore bëhet fjalë në këto dy vendime të Kuvendit të Komunës së Fushë-Kosovës.
KOHA ka raportuar për këto dy vendime të kundërligjshme të Kuvendit të Fushë-Kosovës, por aty nuk gjenden përgjigjet e MAPL-së, pasi e njëjta i kishte vonuar ato.