Arbëri

Konstatohen shkelje ligjore në vendimin për themelimin e drejtorive të reja

Vendimi i Kuvendit të Fushë-Kosovës për themelimin e tri drejtorive të reja është shpallur i paligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Ekzekutivi i Fushë-Kosovës kishte tentuar që të themelonte tri drejtori të reja vetëm nëpërmjet një vendimi, duke anashkaluar Statutin e Komunës dhe Rregulloren për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale.

E ky vendim i është kthyer mbrapsht Kuvendit të Fushë-Kosovës. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ali Ismaili, ka thënë se do të veprojnë sipas këshillave të MAPL-së.

“Vendimi (për themelimin e tre drejtorive të reja komunale) është kërkuar të rishqyrtohet. Ne e kemi informuar Kuvendin e Komunës për rrjedhën e procesit dhe do të veprojmë sipas këshillave të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe do të bëjmë ndryshim-plotësimin e Rregullores për organizimin e brendshëm”, ka thënë Ali Ismaili.

Atij i është kërkuar edhe vendimi i MAPL-së për vlerësimin e ligjshmërisë të dokumentit për themelimin e këtyre drejtorive, por nuk e ka dërguar.

Ndërkohë, KOHA është duke pritur përgjigje edhe nga MAPL-ja që prej datës 7 mars, por e njëjta nuk është përgjigjur.

KOHA ka raportuar edhe në muajin shkurt rreth këtij vendimi që kishte nisur me shpërfillje ligjore.

Subjektet opozitare në Fushë-Kosovë përveçqë e konsideronin se ky veprim i qeverisë lokale po bëhej me shpërfillje ligjore, sipas tyre, kjo po bëhej edhe për pazare politike.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, e arsyetonte vendimin, edhe pse ishte anashkaluar Statuti dhe Rregullorja për organizimin e brendshëm.