Arbëri

Fushë-Kosova synon t’i shtojë tri drejtori duke ndryshuar Rregulloren

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, po synon ta rrisë numrin e drejtorive nëpërmjet ndryshimit të një rregulloreje të brendshme. Fillimisht, Kuvendi Komunal kishte tentuar që t’i shtojë tri drejtori vetëm nëpërmjet një vendimi, duke anashkaluar Statutin e Komunës, por edhe Rregulloren për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale. Por, këtë tentativë e kishte hedhur poshtë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke e vlerësuar si të kundërligjshme. Tash kryetari Berisha i është drejtuar me një shkresë kryesuesit të Kuvendit, Ali Ismaili dhe anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa që t’i propozojnë Kuvendit plotësim-ndryshimin e Rregullores për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale, për t’i hapur rrugë themelimit të Drejtorisë për Pronë, asaj për Infrastrukturë dhe Drejtorisë për Teknologji, Inovacion dhe Integrime Evropiane.

Komuna e Fushë-Kosovës aktualisht funksionon me njëmbëdhjetë drejtori.

“Kryetari i Komunës për funksionimin më të mirë të administratës dhe realizimit të projekteve publike në fushën e infrastrukturës komunale, infrastrukturën e objekteve shkollore, objekteve shëndetësore dhe objekteve rekreativo-sportive, ku Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në punë profesionale për edukim dhe arsim, si dhe shëndetësi e mirëqenie sociale e tjera, në përputhje me dispozitat e nenit 43, shkronja (h), të Statutit të Komunës Nr. 98 të datës 17.08.2012, propozon të rritet në katërmbëdhjetë numri i drejtorive të Komunës”, thuhet në shkresën e kryetarit Berisha.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për iniciativën e Komunës për themelimin e këtyre drejtorive.

Subjektet opozitare në Fushë-Kosovë përveçqë e konsideronin se ky veprim i qeverisë lokale po bëhej me shpërfillje ligjore, sipas tyre, kjo po bëhej edhe për pazare politike.

“Ne konsiderojmë se ka disa shkelje të procedurave për shkak që nuk është marrë parasysh plotësim-ndryshimi i Statutit të komunës”, kishte thënë ndër të tjera shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Fushë-Kosovë, Durim Hajra.

Kundër themelimit të këtyre drejtorive ishte shprehur edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla.

“Ne mendojmë që themelimi i këtyre tri drejtorive është si rrjedhojë e premtimeve gjatë fushatës dhe sigurisht ka ardhur koha që premtimet që janë dhënë gjatë kohës së fushatës për të emërua drejtorë nga disa parti të vogla”, ka theksuar Qyqalla.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, e arsyetonte vendimin, edhe pse ishte anashkaluar Statuti dhe Rregullorja për organizimin e brendshëm.

“Sa i përket bazës ligjore, unë ju them se ka edhe bazë ligjore, sepse në nenin 48.2 të Statutit parashihet që organizimi i brendshëm dhe emërtimi i drejtorive të rregullohet përmes Rregullores për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale, e cila rregullore është aprovua në vitin 2014”, qe shprehur ai.

Por, këtë vendim e kishte hedhur poshtë MAPL-ja. Në një përgjigje të Divizionit për Komunikim Publike thuhej se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar Komunën e Fushë-Kosovës se vendimi për aprovimin e propozimit, i datës 20.01.2022, për themelimin e tri drejtorive është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe në afat prej tridhjetë (30) ditëve duhet të rishqyrtohet nga Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës.

Aktualisht Komuna e Fushë-Kosovës i ka 11 drejtori, ndërsa 3 drejtoritë që synon t’i themelojë janë Drejtoria për Infrastrukturë, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria për Teknologji, Inovacion dhe Integrime Evropiane.