Arbëri

Themelimin e drejtorive të reja në Fushë-Kosovë opozita e quan pazar

Komuna e Fushë-Kosovës i ka nisur procedurat për themelimin e 3 drejtorive të reja, duke miratuar një vendim në Kuvendin Komunal. Por opozita në këtë komunë po konsideron se pushteti lokal po e bën këtë pa i përfillur procedurat ligjore dhe vetëm për pazare politike. Zyrtarët komunalë thonë se këtë çështje e kanë të rregulluar me një dokument të brendshëm

Fushë-Kosovë, 20 shkurt - Me shpërfillje ligjore po konsiderohet se i ka nisur procedurat pushteti komunal i Fushë-Kosovës për themelimin e tri drejtorive të reja.

Opozitarët thotë se Komuna e ka anashkaluar dokumentin më të lartë, siç është Statuti, për t’i hapur rrugë kësaj iniciative.

Partitë opozitare konsiderojnë se themelimi i dikastereve të reja nga LDK-ja po bëhet vetëm për pazare politike.

“Gjatë seancës i është bërë me dije ekzekutivit aktual që fillimisht duhet të ndryshohet Statuti, sepse ne mendojmë dhe besojmë që ka pasur shkelje statusore. Ne mendojmë që është dashtë me i parapri një ndryshim në Statut për hapjen (themelimin v.j.) e këtyre 3 drejtorive”, ka thënë Mirsad Qyqalla, shef i Grupit të këshilltarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë.

Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë, thotë se kjo i ngjan pazarit politik.

“Ne mendojmë që themelimi i këtyre drejtorive ka të bëjë me pazare politike dhe me borxhet të cilat ekzekutivi, ose realisht partia në pushtet i ka ndaj partive të vogla që dëshiron që në këtë formë t’i përfshijë në qeverisje duke i shtuar edhe 3 drejtori të reja”, tha ai.

Hajra thotë se në Fushë-Kosovë ka nevojë për ndonjë ristrukturim të drejtorive aktuale, por jo edhe shtim të tyre.

Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, thotë se për shkak të rritjes së vazhdueshme të qytetit këto drejtori do të duhej të themeloheshin shumë më herët.

I pyetur pse është anashkaluar Statuti i Komunës, ai ka përmendur një rregullore të brendshme, që, sipas tij, ua lejon një gjë të tillë.

“Epo, këtu është një ndryshim mes neve dhe komunave të tjera, sepse na me Statut, unë me qëllim e përmenda nenin 48.2 që është aprovua, d.m.th. që të gjitha këto kompetenca i kemi bart në këtë Rregulloren që është për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale, që nuk kemi nevojë të shkojmë përmes Kuvendit dhe t’i marrim 2/3 e votave. Pra, ne e kemi të rregulluar me dokumente tona interne këtë çështje”, ka deklaruar Fadil Krasniqi, nënkryetar i Komunës së Fushë-Kosovës.

Megjithatë, Rregullorja së cilës i referohet nënkryetari i Fushë-Kosovës është miratuar në vitin 2014 dhe aty nuk parashihen këto 3 drejtori.

Aktualisht Komuna e Fushë-Kosovës i ka 11 drejtori, ndërsa 3 drejtoritë që synon t’i themelojë janë: Drejtoria për infrastrukturën lokale, Drejtoria e pronës dhe Drejtoria për teknologji, inovacion dhe integrime evropiane.