Arbëri

Kërkesa për garanci nga Policia, sinjal se ish-krerët e UÇK-së mund të lirohen së shpejti

Në fillimin e nëntorit bëhet një vit prej kur Specialja ka arrestuar katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Përderisa ky institucion ende po vazhdon me procedura paragjyqësore dhe nuk ka datë as të përafërt se kur mund të fillojë gjykimi i rregullt, mbrojtja po synon që të akuzuarit të mbrohen në liri gjatë fazës së gjykimit.

Në këtë pikë, mbrojtja deri tash e ka fituar betejën e parë duke e bindur gjyqtarin e procedurës paraprake, Nikolas Giju, që të kërkojë garanci nga Policia e Kosovës nëse mund të sigurojnë lirimin e tyre nga paraburgimi ose jo.

Në urdhrin e Dhomave të Specializuara thuhet që Policia e Kosovës ka dy javë që të kthejë kërkesë në këtë përgjigje.

“Gjyqtari i procedurës paraprake urdhëron policinë që të sigurojë informacionin lidhur me autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për të kufizuar lirinë e lëvizjes e individëve që janë subjekt i lirimit me kusht, të monitorojë dhe të kufizojë komunikimin e këtyre individëve, të bëjë administrimin e arrestit shtëpiak dhe zbatimin e kushteve lidhur me lirimin e përkohshëm, dhe rastet e mëhershme të zbatueshmërisë së kushteve lidhur me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda”, thuhet në urdhrin e Dhomave të Specializuar.

Por, kjo kërkesë, sipas Ehat Miftarajt, nga IKD-ja, është e paarsyeshme, për shkak që Policia e Kosovës me ligj është e obliguar ta ofrojë këtë garanci dhe në rast që nuk e bën, atëherë konsiderohet pengim i drejtësisë.

“Për mua një kërkesë e tillë nuk ka logjikë, sepse Ligji mbi Dhomat e Specializuara e përcakton në mënyrë të qartë që çdo vendim që merr Gjykata Speciale, të gjitha institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë në përpikëri. Moszbatimi i vendimeve të tilla hyn në kuadër të veprës penale, pengimi në administrimin e drejtësisë”, ka thënë Miftaraj.

Paraburgimi i të akuzuarve në Hagë rregullohet me Rregulloren e Procedurës dhe Provave, që është e barasvlershme me Kodin e Procedurës Penale që rregullon procedurat hetimore deri në vendim final në rastet në Kosovë.

E neni 56 i kësaj rregulloreje parasheh periudhën 1-vjeçare për paraburgim, e çdo afat përtej periudhës 12-mujore duhet të përligjet prej masave hetimore.

“Përveç arsyeve të përcaktuara në nenin 41(6) të Ligjit, çdo kërkesë për mbajtje të mëtejshme në paraburgim duhet të përligjet prej masave hetimore që do të ndërmerren prej Prokurorit të Specializuar. Paraburgimi, sipas kësaj dispozite, nuk mund të zgjasë më shumë se një (1) vit. Me përfundimin e kësaj periudhe, dhe në qoftë se gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk është caktuar, i dyshuari lirohet nga paraburgimi”, thuhet në nenin 56 të Rregulloren e Procedurës dhe Provave.

E Mitaraj ka deklaruar se pikërisht kjo është arsyeja që pritet të merret vendimi.

“Të paraburgosurit shumë shpejt do t’i bëjnë një vit paraburgim dhe jam i bindur që gjykata do të detyrohet që të marrë ndonjë vendim në favor të të pandehurve, kjo për faktin që ende nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre dhe në bazë të asaj që jemi duke monitoruar si IKD, shtatori i vitit të ardhshëm do të jetë skenari më i hershëm për të filluar”, ka shtuar Migtaraj.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë për akuzat për krime lufte.