Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këmbësorët në Fushë-Kosovë ndihen të rrezikuar, trotuaret janë kthyer në “parkingje”

Janë bërë të pakalueshme shumë trotuare në rrugët më të frekuentuara të Fushë-Kosovës. Meqë në to parkohen automjete, ata detyrohen të lëvizin nëpër rrugë dhe thonë se kjo përbën rrezik për ta dhe fëmijët. Në komunë u zotuan se problemi do të gjejë zgjidhje në mars, ndërsa ekspertë të komunikacionit thanë se gjobat janë zgjidhja e vetme.

Banorë të lagjes më të populluar të Fushë-Kosovës ndihen të rrezikuar për vete dhe fëmijët, meqë u duhet të lëvizin në rrugën kryesore, shkaku që trotuaret shumicën e kohës janë të zënë nga automjete të parkuara.

Përpos në rrugën “Dardania”, trotuari shumicën e kohës është i zënë edhe në magjistrale – nga rrethrrotullimi kryesor, në drejtim të Pejës.

“Edhe ju po e shihni, trotuaret janë mbushur prej makinave, qytetarët duhet të dalin në rrugë atëherë gjithsesi jemi të rrezikuar”, ka thënë një qytetar.

“Jemi të rrezikuar në çdo moment. Lerë ne të vjetrit, por fëmijët janë të rrezikuar. Nuk të japin përparësi askund në vendkalim. Trotuaret janë të zëna, veç po e shihni si është gjendja”, ka thënë një tjetër qytear.

Qytetarët u bëjnë thirrje autoriteteve komunale që t’ua lirojë hapësirat e dedikuara për ta, në mënyrë që t’i shmangin rreziqet.

Edhe Trotuaret bllokohen nga veturat, qytetarët ecin në rrugë SOT Trotuaret bllokohen nga veturat, qytetarët ecin në rrugë

Në Komunë u zotuan se do t’i japin zgjidhje problemit në muajin mars. Drejtori i shërbimeve publike, Maliq Berisha, tha se në këtë muaj është planifikuar të nisë zbatimi i planit të mobilitetit e edhe harta zonale. Ai theksoi se largimi i veturave nga trotuaret është obligim i Drejtorisë së Inspektoratit dhe Policisë.

“Me miratimin e Planit të Mobilitetit dhe Hartave Zonale, ky problem do të zgjidhet. Zbatimi i Planit të Mobilitetit do të fillojë nga muaji mars i këtij viti. Largimi i veturave nga trotuaret është një obligim i Drejtorisë së Inspeksionit dhe Policisë. Sa di unë, është një plan i përbashkët për një aksion për eliminim e kësaj dukurie”, ka thënë Berisha.

Në Polici nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS në lidhje me masat e marra në funksion të lirimit të trotuareve.

E eksperti i trafikut rrugor, Bekim Ahmeti, tha se problemi brenda qendrës urbane në Fushë-Kosovë mund të zgjidhet përmes vënies së gjobave dhe veprimeve të tjera.

Edhe Nis heqja e rrethojave dhe lirimi i trotuarit në Parkun e Qytetit Arbëri Nis heqja e rrethojave dhe lirimi i trotuarit në Parkun e Qytetit

“Problemi zgjidhet shumë thjesht, do me thënë është përmes gjobave vendoset sistemi kamerë nëpër qytete kudo qoftë ai. Tjetra është se në qoftë se prona e qytetarëve kalohet prej trotuarit të komunës në pronë private të parkingut atëherë ata duhet me i ndrru anët. Me ardh parkingu 0 shkallë edhe prona me i kalu komunës, kjo pjesa pas trotuarit. Nëse nuk ka mirëkuptim atëherë të vendosen barrierat fizike dhe kësisoj ose ta shfrytëzojnë për gjelbërim ose çkado qoftë, mirëpo për parking nuk ka të drejtë përmes trotuarit të kalohet në atë zonë parkimi”, është shprehur Ahmeti.

Shumë ndërtesa banimi në Fushë-Kosovë nuk kanë hapësira për parkim të veturave. Për pasojë, ngasësit i ndalojnë ato edhe në pjesën e trotuareve të dedikuara për këmbësorët.