SOT

Qendra ditore që largon fëmijët nga rruga dhe i kthen në shkolla

Janë të shpeshta rastet kur në udhëkryqe apo rrugë të ndryshme të qyteteve të hasim në fëmijë të mitur apo adoleshentë që kërkojnë lëmoshë. Edhe pse janë bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të mos e mbështesin këtë praktikë, shumë prej tyre, nga ndjenja e dhembshurisë, u ofrojnë të holla.
Në Prishtinë është Qendra Ditore për Fëmijë, ajo e cila u ofron mbështetje të vazhdueshme këtyre fëmijëve për nevojat bazike të jetesës. Në këtë hapësirë, fëmijëve u ofrohet ushqim e dush i ngrohtë, mësim mbështetës dhe mundësi për të shprehur kreativitetin e tyre. Qëllimi është që ata të largohen nga rruga.

“Objektivi kryesor i qendrës është të reduktoj kohën që fëmijët e kalojnë në rrugë duke zëvendësuar atë me hapësirë, shërbime të sigurta dhe të nevojshme bazike për nevoja të tyre. Qendra është në kuadër të organizatës Terre Des Hommes e cila në Kosovë është që nga viti '99, pastaj pjesërisht është e mbështetur me projekte nga Ministria e Drejtësisë, Komuna e Prishtinës. Shërbimet këtu në qendrën ditore në kuadër të atyre mbrojtëse për fëmijë fillojnë nga baziket, me u ushqy, me bë një dush, kujdesi për higjienë personale të fëmijëve, marrja e mësimit mbështetës përmes mësueses, këshillim psikologjik nga psikologia, monitorim i rregullt në rrugë nga punëtorët tanë, e po ashtu aktivitete tjera rekreative artistike dhe kampanja që kanë fokus në promovimin e të drejtave të fëmijëve, gjendjes në të cilët këta fëmijë janë po ashtu avokmi për të drejtat e tyre dhe thirrjen që këta fëmijë të mos varen nga këto të holla në rrugë që u jepen, por ato të kanalizohen përmes shërbimeve sociale që është qendra jonë”, thotë koordinatorja e kësaj qendre, Egzona Gashi. 

Ajo thekson se ndihma më e madhe që këta fëmijë të largohen sa më parë nga rruga është raportimi nga ana e qytetarëve kurdo që ata i shohin në rrugë, jashtë orarit të mësimit.

“Çdo fëmijë që ju e shihni në rrugë të pashoqëruar apo edhe të shoqëruar por për juve janë disa shenja që ai fëmijë po përdoret edhe nga familja e që në atë kohë nuk është në shkollë por në rrugë është rast që ju duhet ta raportoni në këto institucione, edhe nëse veç keni dyshime duhet raportuar sepse ato më pas i vlerësojmë, përmes ekipit tonë dalim në rrugë, identifikojmë rastin, e fusim në shërbimet tona aty ku është e mundur menjëherë apo edhe ne e adresojmë në zinxhirët tanë të përditshëm të bashkëpunimit”, deklaron Gashi.

Brenda pesë vjetëve të funksionimit, shumë fëmijë që më parë ishin në rrugë janë rikthyer në bankat shkollore me sukses shembullor.

“Tash e 5 vite ne kemi një numër të madh të fëmijëve që kemi regjistruar në shkolla, fëmijë që asnjëherë nuk kanë qenë në proces mësimor tani janë rikthyer përmes klasave intensive, ata të moshës shkollore janë regjistruar në klasë të parë dhe janë pjesë e shkollave me sukses shembullor që bën me kuptu se kanë kapacitete por rrethanat e jetës moskujdesi familjar i ka bërë që të mbesin në situate rruge”, shton ajo.

Gashi thekson se ofrimi i lëmoshës nuk i ndihmon këta fëmijë, përkundrazi, i mban larg bankave shkollore.

“Ne vazhdojmë me pasë fëmijë në rrugë pavarësisht sukseseve, kemi pasë raste që i kemi larguar nga rruga, por përderisa kemi ende fëmijë në rrugë kjo na bën me kuptu që nuk jemi të kënaqshëm me qytetarët që nuk raportojmë, jemi të dhimbshëm që udhët me iu dhënë pare kur kërkojnë por ne duhet me qenë më të qëndrueshëm emocionalisht me mendu për mirëqenien e tyre më larg sesa sot, me reflektu sikurse fëmijët tanë po të ishin në rrugë dhe cilat do të ishin rreziqet, ndihma më e madhe është nëse raportojmë në shërbime përkatëse e jo me iu dhënë të holla”, deklaron ajo.

Qendra nuk ofron ndihmë vetëm për fëmijët në situatë rruge, por edhe për ata që kanë nevojë për mbrojtje për shkak të dhunës në familje, apo prindërve të divorcuar. 

“Kjo qendër është për fëmijët në situate rruge, por edhe për fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje, fëmijët që kanë nevojë për mbështetje më shumë akademike, fëmijët që janë viktimë e dhunës në familje, të prindërve të divorcuar, të moshës 5-6 vjeç e deri në adoleshencë sipas nevojave individuale këtu marrin shërbime”, shton Gashi.

E së fundmi, nuk janë vetëm fëmijët ata që po marrin shërbime në këtë qendër. Përmes disa projekteve prindërit po ndjekin kurse për aftësim profesional.

“Në fillimet e para të qendrës kemi pas raste kur kanë ardhë fëmijë që kemi takuar në rrugë bashkë me prindërit dhe kanë dashur të qëndrojnë këtu por janë detyru me dal me punu, tash pas 5 vitesh prindërit e tyre na kontaktojnë dhe thonë se djali nuk ka shku në shkollë kërkojnë ndihmë nga ne, nëse kjo ka ndodh atëherë është një sukses sepse në të njëjtën kohë ata prindër janë pjesë e aktiviteteve të prindërve që ofrojmë me një punë të zellshme ndaj tyre. Sot kemi prindër që po vijojnë kursin për ndihmës-kuzhinier, 8 nëna që janë të fasionuara për mundësinë që i është ofruar dhe me shumë përkushtim po ndjekin atë kurs që shpresojnë të punësohen dhe të jenë mbështetëse e familjes që të mos kenë nevojë fëmijët e tyre me dalë në rrugë”, tregon Gashi.

Sipas saj, kjo situatë do të vazhdojë të mbetet shqetësuese përderisa mungon një bashkëpunim i strukturuar mes qytetarëve, qendrave ditore e sociale dhe Policisë së Kosovës. 

Raportimi i rasteve nga qytetarët ndihmon në identifikimin më të shpejtë të fëmijëve në nevojë, duke mundësuar largimin e tyre nga rruga dhe përfshirjen në sistemin arsimor.