Arbëri

KEK-ut i shtohen rreth 35 megavatë kapacitet prodhues

Termocentrali Kosova B2

Korporatës Energjetike të Kosovës i janë shtuar rreth 35 megavatë në kapacitetin prodhues, pas modernizimit të njësisë prodhuese të Termocentralit Kosova B2, sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, pas vizitës që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ia bëri KEK-ut.

Sipas Kurtit, tani Njësia B2 tani ka mbërritur në 318 megavatë kapacitet prodhues dhe bashkë me 277 megavatët e B1-shit, gjenerimi i gjithëmbarshëm i afrohet 600 megavatëshit.

“Ky është një sukses i madh i ekipit të KEK-ut, i mbështetur nga qeveria dhe partnerët teknikë, që sot po kurorëzohet me rezultate të prekshme e të dukshme”, ka thënë Kurti, sipas komunikatës.

Sipas njoftimit, KEK-ut i është rritur kapaciteti prodhues për rreth 35 megavatë pa ndryshuar parametrat bazë të funksionimit. Po ashtu thuhet se është rritur ndjeshëm efiçienca e sistemit, që garanton prodhim më të madh me më pak konsum energjie të brendshme. Sipas njoftimit, është ulur edhe konsumi i thëngjillit nga 1.3 tonë në 1.15 tonë për MW në konvertim të energjisë. Aty thuhet po ashtu se do të ketë më pak ndotje e se jetëgjatësia e njësisë është shtuar edhe për rreth 20 vjet. Po ashtu cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet. Kjo, sipas qeverisë, do të kursejë miliona euro në mirëmbajtje dhe do të garantojë stabilitet më të madh afatgjatë.

Remonti kapital ka përfshirë modernizimin e turbinës, ndërrimin e zbarave të gjeneratorit elektrik, riparimin e ndërprerësit elektrik, ndërrimin e ekonomajzerit, riparimin e kanalit të gazrave, ndërrimin e mbi 4 mijë gypave në kondenzator, ndërrimin e pjesshëm të varëseve.

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se investime të ngjashme do të bëhen edhe në Bllokun 1 gjatë vitit të ardhshëm.

Siç thuhet në komunikatë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ka thënë se sot Kosova po eksporton energji elektrike, meqë konsumin vendor e mbulon KEK-u.