Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KEDS-i e konsideron të suksesshëm privatizimin

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) e ka konsideruar të suksesshëm procesin e privatizimit të këtij shërbimi, pas kritikave e kërkesave për rinacionalizim.

KEDS-i po përballet me shumë kritika ditëve të fundit pas nisjes së reduktimeve të rrymës.

Protestat e së hënës, KEDS-i ka thënë e i kupton dhe i respekton, teksa ka treguar arsyet përse, sipas tij, Kosova është në krizë. KEDS-i ka thënë se me punën e vet ka arritur t’i heqë reduktimet e mëhershme.

“Këtë vit po përballemi me krizë globale të rritjes së çmimeve, rritjes enorme të konsumit dhe rënies së prodhimit. Këta faktorë prekin tërë sistemin elektro-energjetik, pjesë e të cilit janë edhe konsumatorët. Ne si kompani jemi të shqetësuar për këtë. Madje, për disa muaj me radhë e kemi bartur krizën në supet tona, pa u afektuar konsumatori aspak, deri sa i shterëm të gjitha resurset tona. Si kompani jemi në vitin e 9 të operimeve. Që nga fillimi i operimeve tona kemi hequr planin e reduktimeve të njohur si Kategorizimi ‘ABC’. Vetëm kujtojeni se si ka qenë furnizimi me rrymë vitin e kaluar, krahasuar me këtë vit!? Ky është shembulli më i mirë se privatizimi ka qenë i suksesshëm dhe ne si kompani jemi krenar me atë që kemi arritur”, ka thënë KEDS-i.

Kjo kompani ka thënë se ka investuar mbi 200 milionë euro në sistem. Megjithatë, ditëve të fundit është raportuar për djegie të disa trafove si pasojë e mbingarkesës.

“Kemi investuar gati 200 milionë euro në sistem dhe operimi ynë i përgjithshëm sot është shumë më efikas. Këto investime kanë rritur në mënyrë të prekshme kualitetin e shërbimeve për qytetarët e bizneset në të gjithë Kosovën. Kur e kujtojmë gjendjen që e trashëguam dhe pasi të merren në konsideratë të gjitha projektet e realizuara deri tani, atëherë privatizimi i KEDS-it, s’ka si quhet ndryshe, pos një storie suksesi. Edhe këto ditë kemi bërë çdo gjë që është e mundur që të kalohet sa më lehtë kjo situatë. Kemi dhënë rekomandime dhe mbesim të gatshëm që të luajmë rolin tonë në këto rrethana”, thuhet në reagim të KEDS-it.

Kjo kompani ka thënë se është e gatshme për bashkëpunim me akterët tjerë për të menaxhuar krizën.

Edhe KEDS ka reduktuar mbi 40 për qind të humbjeve të energjisë elektrike Arbëri KEDS ka reduktuar mbi 40 për qind të humbjeve të energjisë elektrike

“Është koha që tërë energjinë ta përqendrojmë në tejkalimin e kësaj situate, në vepra konkrete, e jo për sulme që cenojnë kredibilitetin e kompanisë jashtë dhe brenda vendit dhe mohojnë të arriturat e kompanisë ndër vite”, thuhet në fund të komunikatës.

Reduktimet kanë nisur të largohen dy ditët e fundit.

Privatizimi i këtij shërbimi ishte kritikuar ashpër ndër vite nga Lëvizja Vetëvendosje që tash është në pushtet.