Arbëri

Kastrati tregon për reformat në arsim në komunën e Kamenicës

Foto: Koha

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në Interaktiv të KTV-së ka treguar për mënyrës se si komuna po synon të bëjë reforma në arsim, përmes fuzionimit të shkollave.

“Kjo është kompetencë vetëm e komunës se si e bën organizimin e shkollave dhe si mund të bëhet fuzionimi. Ne kemi bërë një analizë edhe me eksperët. Ne duhet të bëjmë një reformë më të thellë dhe mendojmë se duhet të pyeten edhe qytetarët për këtë. Kemi vendosur të takojmë të gjithë qytetarët në secilin fshat me i informuar se çfarë po ndodh me këtë reformë, e jemi në fazën e informimit të tyre”, ka thënë Kastrati.

Ai thotë se është i gatshëm të paguajë çdo çmim për të pasur një edukim sa më të mirë për fëmijët.

“Është e mundshme të bëhet fuzionimi, por kam menduar se ka me pas më tepër rezistencë, është e natyrshme që arsimtarët të jenë të shqetësuar për punën e tyre por kjo do të tejkalohet kur të rregullohen të gjitha gjërat. Ka pasur individë të subjekteve të tjera që mundohen me pengu edhe me e prish debatin. Të parët që po refuzojnë janë mësimdhënësit, pastaj janë personat që kanë nostalgji”, u shpreh Kastrati.

Kastrati ka treguar se ka gjashtë objekte shkollore që kanë më pak se 5 nxënës, kurse ka shkolla që janë me më pak se 20 e disa të tjera me më pak se 70.

‘Është e rëndësishme për këta nxënës që të socializohen. Kemi raste konkrete kur prindi tregon se është në klasë vetëm në 2-3 nxënës dhe e kanë problem. Prindërit që kanë nxënësit në këto shkolla janë pro kësaj ideje. Mbi 50 për qind të kurrikulës nuk mundesh me e arrit nëse numri është i nxënësve është shumë i vogël”, deklaroi ai.

Tutje ai ka shtuar se, “duhet të kemi guximin që të veprojmë edhe nëse i humbim zgjedhjet”.

Ai ka treguar se distanca më e largët është 22 kilometra, por ka edhe raste të tjera kur ne kemi me i subvencionuar prindërit që të përcjellin fëmijët e tyre deri tek autobusi.

“Realisht vetëm katër shkolla janë në rregull, të tjerat kanë probleme me numër të vogël të nxënësve.

Duhet të ndërmarrim diçka rreth kësaj çështje pasi prindërit e shohin se çfarë edukimi ka fëmija i tyre. Nuk pajtohem me këtë se do të mbyllen shkollat, por do të ketë fuzionim dhe nga 29 e ne synojmë të ketë mesatarisht 20 nxënës për klasë, dhe dy paralele në gjeneratë. Ekspertët na kanë thënë se na duhen të jenë pesë shkolla fillore dhe pesë shkolla të mesme të ulëta”, ka thënë ai.

Kastrati thotë se janë të vendosur që kjo punë të vazhdohet dhe nuk ka mënyrë tjetër, dhe është kompetencë e komunës dhe është obligim ligjor.

Lidhur me kandidaturën e tij të mundshme edhe për një mandat, ai ka thënë se është ende herët për të folur.

Ai tutje ka shtuar se nëse qytetarët duan që ai të jetë në krye të komunës, ai do të rikandidojë.