Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, e ka quajtur të mbyllur reformën në arsim, e cila nxiti reagime të mëdha të prindërve e të nxënësve në këtë komunë. Të tilla, sa çështjet përfunduan edhe në gjykata. Edhe sot ka rezistencë të nxënësve e të prindërve në disa fshatra.
Kastrati në debatin Zgjedhjet në KOHË në kuadër të Interaktivit, tha se çështja nuk ka pse të diskutohet më, pasi është e rregulluar edhe me ligj.
Reforma në arsim në këtë komunë ka mbyllur 19 shkolla nëpër fshatra, pasi kishte mungesë të nxënësve. Nxënësit e shkollave me pak nxënës janë bartur në shkolla tjera, në fshatrat përreth apo edhe në qytet. Por janë katër fshatra, sidomos Busavata, që po refuzojnë reformën tash dy vjet.
“Kjo çështje ka përfunduar, me legjislacion nuk lejohen me pas klasë me më pak se 20 nxënës.
Asnjëra prej këtyre shkollave nuk i ka. Ne nuk duhet me e pa numrin e nxënësve për shkollë, por për klasë, që të ketë një zhvillim emocional, një socializim, duhet me qenë një numër në klasë, e Kosova e ka përqafu me legjislacion sipas standardeve të BE-së. Kjo çështje ka përfunduar një herë e përgjithmonë, pasi nuk e lejon legjislacioni, në një të ardhme nëse rritet numri i nxënësve munden me u kthy ato shkolla”, ka thënë Kastrati i PSD-së.
Sipas tij, në momentin kur ka nisur kjo reformë i ka konsultuar partitë tjera në komunë dhe ka marrë përkrahjen e tyre, porse tash për shkak të agjendës politike sipas tij, kanë ndryshim qëndrim.
E partitë tjera që garojnë për të parin në këtë qytet, thonë se do ta zhbëjnë këtë vendim.
Rahimaj (VV): Në ditët e para pas 17 tetorit do të shfuqizojmë vendimet për reformën në arsim
Kadri Rahimaj, kandidat për kryetar nga radhët e VV-së tha se është bërë gabim i madh me reformën ë arsim. Ai premtoi të anulojë vendimet e Kastratit posa të marrë pushtetin. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.
“Gabimi më i madh në këtë drejtim ka qenë se nuk ka pasur diskutim me qytetarët për një vendim kaq të rëndësishëm, që prek ndoshta secilin qytetar. Konsideroj që gjendja e cila është tash në arsim nuk është normale. Ne besojmë se duhet të stabilizohet dhe duhet të rikthehen fëmijët nëpër shkolla. Pse institucionet me prindërit nuk mund të dakordohen për çështje të caktuara, nuk besoj se duhet fëmijët të pësojnë. Kjo gjendje është shqetësuese, kur shohim fëmijët që thonë se ‘për 3 vite nuk kam ndjek mësimin’ dhe kryetari aktual buzëqesh, kjo është për keqardhje”, tha Rahimaj.
Ai tha se çështja financiare nuk bën të shikohet në këtë rast, pasi bëhet fjalë për fëmijë.
“Më mirë të lihet një rrugë e paasfaltuar se sa disa fëmijë pa shkollim, besoj se kjo çështje nuk është e përfunduar, ne do të punojmë në ditët e para që t'i shfuqizojmë 3 vendimet”, tha ai.
Kallaba (PDK): Kryetari do të bartë përgjegjësi, nxënësit do të kthehen në shkolla
Muhamet Kallaba, kandidat për kryetar të Kamenicës nga PDK-ja, tha se kjo komunë gjithnjë është njohur për qetësi e lajme të mira, porse tash, falë kësaj reforme dhe sipas tij, falë kryetarit Qendron Kastrati, po njihet për të keq.
Ai thotë se kryetari aktual edhe ka fyer mësimdhënësit.
“Nuk ka ligj në Kosovë që përcakton numrin e nxënësve në klasë, është formula buxhetore, por jo. Kur përmend socializimin, nuk qëndron, pasi brenda lëndëve nxënësit kanë aktivitete të cilat e bëjnë socializimin. Nuk ka të drejtë askush, këta fëmijë do t’u kthehen shkollave. Zotëria do të bartë përgjegjësi politike e ligjore, më 17 tetor do të vendosë qytetari dhe fëmijët do të kthehen aty ku e kanë vendin”, tha Kallaba.
Biqkaj (LDK): Kjo nuk është reformë në arsim, nxënësit kanë të drejtë
Jeton Biqkaj ka refuzuar ta quajë atë që është ndërmarrë në Komunën e Kamenicës reformë në arsim. Sipas kandidatit të LDK-së për kryetar të Kamenicës, ky është një riorganizim, por i gabuar. U ka dhënë të drejtë nxënësve dhe prindërve.
“Janë 5 shkolla që bëjnë rezistencë, që është viti i dytë, përkatësisht i treti për shkollën e Busavatës, ku nxënësit nuk vijojnë mësimin. Dhe ky është shqetësuese, besoj se nxënësit do të kthehen në shkollë pas marrjes së mandatit nga ne, sepse kjo gjendje nuk mund të vazhdojë. Ka qenë hap u nxituar, e dimë që ka numër të vogël të nxënësve. Ka shkolla që kanë pranuar lehtësisht riorganizimin”, ka thënë Biqkaj.
Jakupi (AAK): Që nga fillimi e kemi kundërshtuar reformën në arsim
Faton Jakupi është zv.kryetar në Komunë të Kamenicës, por thotë se nga fillimi ai dhe AAK-ja, e kanë kundërshtuar reformën në arsim.
Ai thotë se ka mundësi të bëhet një rregullim tjetër, që nxënësve me më shumë nxënës t’u mundësohet të vijojnë mësimin në fshatrat e tyre.
“Nuk mund të merren vendime të tilla e që duhet të realizohen brenda 2 muajve apo 3. Shumë vendime ka që nuk gjejnë zbatim në terren dhe nuk do të duhej me nxjerr vendime të tilla që bëjnë dëme në komunitet. Me mua në pushtet secili nxënës do të vijojë mësimin”, tha Jakupi.
Ai përmendi sidomos dëmin që është shkaktuar te nxënësit e klasave të nënta.
“Këta nxënës nuk po mund t’i marrin diplomat për të vazhduar në klasën e dhjetë. Me neve në pushtet, do të bëjmë që secili nxënës me shku në lokalitet”, tha ai.
Kastrati: Kam kërkuar referendum këshillëdhënës për këtë çështje
Kryetari aktual i Kamenicës, Qëndron Kastrati, që po kërkon edhe një mandat, ka replikuar me kundërkandidatët pas kritikave që mori në debatin Zgjedhjet në KOHË për reformën ë arsim.
Ai tha se ka pasur debate të vazhdueshme në secilin lokacion, me shoqëri civile e subjekte politike, madje edhe ka kërkuar referendum këshillëdhënës për këtë çështje.
“Kam porpozuar një referendum këshillëdhënës, por Kuvendi Komunal i përfaqësuar nga anëtarët e subjekteve politike në fjalë e kanë kundërshtuar referendumin e tillë. Këtu kemi kandidatë që janë dënuar, me aktakuzë, e që janë përfshirë aktivisht me i nxit prindërit kundër reformës. Z. Rahimaj është i dënuar për kundërvajtje, për organizimet që ka bërë. Aktakuzë për kundërvajtje, është dënuar me para se i ka thyer masat e pandemisë për organizime. Nuk ka qenë duke shkuar në shtëpi kur është dënuar, por ka ardhur në komunë për rezistencë. Gjithashtu janë edhe 6 apo 7 persona nën hetime që po nxisin këtë çështje”, tha Kastrati.
Ai shtoi se të gjitha këto po shkaktojnë dëme financiare.
“Mbi 430 mësimdhënës i paguajmë me paratë tona, do të ishte dashur me i rregullu kushtet në shkolla. Mbi 2 milionë euro janë kostot e shpenzimeve për këto shkolla që komuna e Kamenicës duhet me i siguru. Për këtë arsye ka mbetur me buxhet 124 mijë euro në vitin 2017 e në fillim të vitit 2018. Për këtë arsye, për herë të parë Kamenica ka laboratorë, kabinete e çështje tjera”, ka thënë Kastrati.