Arbëri

Kardiologjia mbetet pa disa dimensione stentash e veç me 1 pacemaker

Mungesën e planifikimit te tenderi për stenta, SHSKUK-ja e ka lidhur me “punën e jashtëzakonshme” që sipas tyre, po bëhet në Kardiologjinë e QKUK-së.

KOHA ka mësuar se në stokun e këtij institucioni nuk ka mbetur më sasi e dy llojeve të stentave të cilat përdoren te pacientët me probleme të zemrës.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga U.D. i shefit të sallave të kateterizimit, Daut Gorani.

“Për shkak të punës së jashtëzakonshme të stafit të Kardiologjisë Invazive është bërë një konsumim i shtuar i materialit, në këtë rast edhe i stenteve. Numri i mjekëve që punojnë në sallë në 5 muajt e fundit është rritur, pastaj numri i procedurave intervente po ashtu është rritur, dhe performansa e mjekëve është zhvilluar dukshëm. Dy lloj dimensionesh të stenteve janë shpenzuar më shumë ka ndodhur sepse arteriet me këto dimensione më së shpeshti preken nga stenozat”, ka thënë Gorani.

Televizoni e ka pyetur drejtorinë pse kur saktësisht do të furnizohen me stenta, por nuk ka marrë përgjigje.

E nga Klinika e Kardiologjisë kanë deklaruar që “tenderi është në përfundim”, pa shpjeguar nëse ka ankesa të kompanive konkurrente, gjë që mund ta zvarrisë me muaj procesin.

“Tani është në përfundim procedura e tenderit për furnizim me material për sallën e kateterizimit dhe do të ketë mjaft material dhe puna do të vazhdoj me intensitet të shtuar. Aktualisht, nuk ka rrezik për bllokimin e punës në sallat e kateterizimit”, thuhet në një përgjigje të Klinikës së Kardiologjisë.

Asnjë informatë se kur do të lidhet kontrata dhe sa është e rrezikuar QKUK-ja që t’i ndërpresë stentimet për shkak të mungesës së materialit nuk kanë dhënë as në Barnatoren Qendrore.

“Të gjitha proceduarat tenderuese për materialin në fjalë janë në vlerësim”, thuhet në përgjigjen e Barnatores Qendrore.

Kjo njësi ka shpjeguar procedurën se si pranohet materiali, por nuk kanë treguar se kur bëhet furnizimi.

QKUK-ja në stok ka vetëm një pacemaker. Kjo është një pajisje që vendoset në zemër për rregullimin e rrahjeve të zemrës. Në mungesë të tyre pacientëve po ju vendosën pacemaker të përkohshëm.

Këtë e ka konfirmuar kardiologu, Edmond Haliti, që është shef i Shërbimit të Elektrofiziologjisë.

“Nuk kemi listë pritje për pacemaker; të gjithë pacientët që dikur kanë qenë në listë kanë impantuar tashmë Pacemaker. Ka vetëm 6 pacientë në pritje të cilët ose janë regjistruar brenda muajit te fundit, me çrregullime kronike përçimi dhe krejtësisht stabil, ose te tillë që kanë refuzuar për momentin ose nuk kanë qenë të përgatitur ende për një intervenim të tillë”, ka thënë kardiologu, Edmond Haliti.

Pas këtyre përgjigjeve, KOHA ka kërkuar sërish sqarime nga SHSKUK-ja por ata ende nuk janë përgjigjur.

Në situatë të ngjashme ky institucion ndodhet edhe për materialin e hemodializës.

SHSKUK-ja ishte vonuar në shpalljen e tenderit emergjent, edhe pse Klinika e Hemodializës ka mbetur pa material. Arsyetimi për këtë vonesë ishte se janë në proces të tenderit të rregullt.