Arbëri

Kampi veror në “Loyola” mbledh mbi 80 nxënës nga 5 shtete

Përderisa greva e mësimdhënësve po vazhdon në institucionet e arsimit publik parauniversitar, në gjimnazin “Loyola” në Prizren ka nisur punimet Kampi Veror 2022, që mbledh mbi 80 nxënës nga 5 shtete të rajonit dhe Evropës. Në hapjen e kësaj ngjarjeje është veçuar pesha e dijes, por edhe rëndësia e bashkëpunimit për të praktikuar vlerat evropiane

Një grup i nxënësve nga Kosova do të kenë mundësinë që të ndërveprojnë me moshatarët e tyre nga rajoni dhe Evropa, në kuadër të Kampit Veror 2022 të organizuar nga “Education Unlimited”, që po mbahet në gjimnazin “Loyola” në Prizren. Në ceremoninë e hapjes së Kampit, zyrtarët shtetërorë e diplomatët e huaj kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes nxënësve për të jetësuar të ardhmen evropiane. Ndërsa vetë pjesëmarrësit kanë vlerësuar mundësinë për t’u shoqëruar me moshatarët nga vendet e ndryshme.

“Është një sfidë e re, për shkak se do të kemi kontakt me nxënës të moshës tonë të vendeve të ndryshme, dhe besoj se do të jetë një përvojë shumë e mirë”, ka thënë Vlera Hyla, nxënëse nga Gjakova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka porositur pjesëmarrësit se dashuria për dijen e shkencën do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.

“Zbulimi i plotë i potencialit që ju keni përbrenda është çelësi i vetëm që do t’jua sjellë lumturinë e vërtetë. Lumturi që nuk matet me mjete materiale, por me dashuri për dijen dhe njerëzimin”, ka deklaruar Kurti.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka vlerësuar se bashkëpunimi i nxënësve është i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës.

“Jam jashtëzakonisht i emocionuar që këtu të takoj rreth 80 nxënës nga 5 vende të ndryshme, të cilët do të punojnë së bashku, do të shkëmbejnë idetë e tyre së bashku dhe thjesht do të jetojnë këtu së bashku. Vërtet kjo është tepër e rëndësishme për ne, ngase ju jeni e ardhmja e Evropës", është shprehur diplomati gjerman.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur mirënjohjen për shtetin gjerman për investimin në edukimin e brezave të rinj në Kosovë e më gjerë.

“Kjo shkollë verore është ndër eventet më të rëndësishme që kontribuon në edukimin, arsimimin dhe rrjetëzimin e fëmijëve tanë, për më tepër, mundëson shkëmbimin e ideve dhe hapjen e horizonteve të reja për fëmijët tanë dhe për fëmijët e Evropës ndaj nesh”, ka thënë Totaj.

Në kuadër të këtij kampi, që organizohet për të tretën herë, do të mbahen punëtori me tema të ndryshme, si identiteti dhe diversiteti; barazia gjinore në shoqëri; mediat; mjedisi dhe ndryshimet klimatike; si dhe zhvillimi i Evropës. Ky takim, ku marrin pjesë mbi 80 nxënës nga pesë shtete të ndryshme, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës dhe nga Qeveria e Gjermanisë.