Arbëri

“Loyola” në Prizren hap dyert për nxënësit e ikur nga lufta në Ukrainë

Dy vajzat e çiftit kosovaro-ukrainas asnjëherë më parë nuk e kanë vizituar Kosovën, shkaku i mosnjohjes së dokumenteve të udhëtimit. Por pas fillimit të luftës në Ukrainë, ato janë detyruar që të largohen nga vendlindja, duke gjetur strehë në Kosovë. Prej së hënës kanë filluar edhe vijimin e mësimit në Prizren. Shpresa e tyre është që të vendoset paqja në Ukrainë, ashtu që të kthehen tek shoqet dhe shokët e tyre.

Albina dhe Anita, të hënën, kanë vijuar ditën e parë të mësimit në gjimnazin “Loyola”, përkatësisht në shkollën fillore “Loyola” në Prizren. Muajin e shkuar ato janë detyruar që të braktisin shtëpinë e tyre, si dhe shkollimin në Sumi të Ukrainës si rezultat i luftës. Fëmijët e çiftit kosovaro-ukrainas janë vendosur në vendlindjen e babait të tyre në Greikoc të Suharekës prej disa javësh, pas udhëtimit gati njëjavor për t’i ikur tmerrit të luftës. Që të dyja janë shprehur të kënaqura me mikpritjen që kanë gjetur në shkollat përkatëse. Megjithatë, shpresojnë që një ditë të kthehen te shoqet dhe shokët në shkollat e tyre në Ukrainë.

“Ishte shumë e vështirë që t'ua ktheje shpinën shtëpisë, shkollës, shoqërisë, dhe kam shpresa se do të ketë paqe dhe do të kthehem prapë te shokët dhe shoqet”, ka thënë Albina Qelaj, 14-vjeçare.

Motra e saj, dy vjet më e re, Anita Qelaj ka shtuar se në ambientin e ri shkollor është pritur mirë nga të gjithë dhe se ka vërejtur afërsinë që mësimdhënësit kanë me nxënësit.

“Dallimi që e kam vërejtur është se mësuesit këtu komunikojnë më tepër me nxënësit, sepse atje ka më shumë nxënës, por natyrisht ndihem mirë”, ka deklaruar ajo.

Prindi i tyre, Xhavit Qelaj, i cili prej vitit 2005 punon me material ndërtimor ndërmjet Ukrainës dhe Zvicrës, thekson se vajzat e tij kanë lindur në vitin 2008, respektivisht 2010, në Sumi të Ukrainës, që ndodhet 40 kilometra nga kufiri me Rusinë, dhe se asnjëherë më parë nuk kanë qenë në Kosovë, shkaku i mosnjohjes së dokumenteve të udhëtimit.

“Lufta i ka zënë atje, dy javë ditë kanë ndejtë në luftë dhe pas dy jave është çelë korridori dhe kanë dalë, kanë ardhur deri te kufiri me Rumaninë dhe prej aty i kemi sjellë këtu”, është shprehur ai.

Qelaj pohon se vajzat e tij, pavarësisht vështirësive në komunikim, meqë nuk flasin shqip, megjithatë janë të mirëpritura kudo që shkojnë, derisa edhe nxënësit e tjerë mundohen që t’ua lehtësojnë adaptimin në ambientet e reja shkollore.

Drejtori ekzekutiv i gjimnazit “Loyola”, Elias Koller, ka pohuar se dyert e këtij institucioni shkollor janë të hapura për fëmijët nga Ukraina me qëllim që atyre t’u ofrohet një vend ku mund të mësojnë të sigurt. “Fëmijët nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën, janë të pafajshëm dhe duhet t'u ofrohet hapësira ku mund të rriten, të mësojnë dhe të edukohen. Prandaj mesazhi është i qartë, që shkolla jonë është e hapur për fëmijët që kërkojnë hapësira të sigurta për mësim”, ka thënë Koller.

Gjimnazi “Loyola” javë më parë ka filluar një aksion, i cili do të përmbyllet në fund të kësaj jave, për të grumbulluar mjete financiare për të rinjtë ukrainas që kanë braktisur shtëpitë e tyre nga tmerret e luftës.