Arbëri

Në Prizren organizohet shkollë verore për 350 nxënës

Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Komunën e Konjës, sivjet organizojnë shkollë verore për 350 nxënës, në kuadër të së cilës do të ofrohen kurse në teknologji të informacionit, artizanate, trashëgimi kulturore e edukatë fizike. Sipas bartësve të projektit, me këto aktivitete synohet ofrimi i mundësisë për edukim e socializim më të mirë të fëmijëve

Rreth 350 nxënës do të vijojnë shkollën verore që organizohet nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Komunën e Konjës, me synimin që fëmijët të socializohen e të përfitojnë njohuri praktike. Zyrtarët e lartë komunalë kanë bërë të ditur se ky pilot-projekt realizohet me përkrahjen e komunës binjake nga Turqia, për nxënësit e moshave 9-14 vjeç, me ç’rast do të ofrohen kurse në teknologji të informacionit, artizanate, trashëgimi kulturore, edukatë fizike, e të tjera.

Në hapjen e shkollës verore, nxënësi Nuri Spahiu ka theksuar se në këto kurse pret të përfitojë njohuri të reja.

“Unë prej kësaj shkolle verore pres që të mësoj gjëra të reja që nuk i di dhe ta pasuroj fjalorin tim”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se me këto aktivitete synohet ofrimi i mundësisë për edukim e socializim të fëmijëve.

“Jam shumë i sigurt që në përfundim të këtij programi të gjithë nxënësit do të ndahen me një përvojë të re, me një energji të re, do të kenë mësuar nga njëri-tjetri shumë gjëra, por njëkohësisht edhe nga mësuesit apo arsimtarët e tyre do të mësojnë shumë gjëra”, ka deklaruar Totaj. “Për vitin e ardhshëm gjithsesi do ta ngremë në nivel më të lartë organizativ”.

Zëvendëskonsulli i Turqisë, Ismail Cenk Sen, ka shprehur bindjen se kurset dhe shkollat verore që organizohen nga dy komunat binjake do të kenë ndikim pozitiv në aspektin socio-kulturor e ekonomik për të rinjtë e Kosovës.

“Kurset e KOMEK-ut që organizohen në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Komunës metropolitane të Konjës dhe të Komunës së Prizrenit besoj se do të jenë të dobishme për Kosovën dhe për Turqinë”, është shprehur ai.

Zëvendëskryesuesi për komunitete në Kuvendin e Prizrenit, Levent Bush, ka theksuar se një aktivitet i tillë për herë të parë po organizohet nga komunat respektive si përpjekje për të ofruar edukim më cilësor për fëmijët.

“Qëllimi ynë është që fëmijët tanë të kenë një arsim më cilësor, për një të ardhme më të mirë, në mënyrë që prindërit të jenë krenarë me ta”, ka thënë ai.

Prizreni me komunën e binjakëzuar të Konjës në të shkuarën ka organizuar edhe kurse të aftësimit profesional për gratë dhe të rinjtë.