Kulturë

“DokuKids” me sfidat e shekullit 21 prej dezinformimit deri te bullizmi

Nxënësit dhe mësimdhënësit nga dhjetë shkolla të ndryshme të Kosovës, në kuadër të shkollës verore “DokuKids”, po i përforcojnë shkathtësitë e përdorimit të mediave sociale, si dhe të krijimit të video- përmbajtjeve për të adresuar dezinformimin, lajmet e rreme dhe dukuritë e tjera negative. Videot e krijuara në këtë shkollë verore do të jenë pjesë e programit të “DokuKids” në kuadër të festivalit “DokuFest”, që sivjet mbahet prej 5 deri më 13 gusht në Prizren

Me aktivitete praktike dhe argëtuese, nxënësit dhe mësimdhënësit e dhjetë shkollave nga dhjetë komuna të Kosovës në kuadër të shkollës verore “DokuKids”, që po mbahet në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, po i përforcojnë shkathtësitë e përdorimit të mediave sociale, si dhe të krijimit të videove dhe përmbajtjeve për të adresuar dezinformimin, lajmet e rreme dhe dukuritë e tjera negative.

Kjo shkollë verore është pjesë e projektit “Transformimi Shoqëror Inovativ në Kosovë” (KIST), që ka për qëllim promovimin e edukimit digjital në arsim, duke ofruar udhëzime dhe materiale digjitale për shkollat, si dhe aktivitete kulturore e artistike, me synimin e rritjes së pjesëmarrjes aktive të nxënësve në jetën qytetare, adresimin e dezinformimit dhe zhvillimin e të menduarit kritik në përballjen me sfidat e shekullit 21.

Nxënësit pjesëmarrës kanë vlerësuar mundësinë që gjatë pesë ditëve të shkollës verore të mësojnë teknikat e krijimit të videove, përkatësisht filmave të shkurtër, por edhe shtimin e njohurive për rrjetet sociale në mënyrë që ato t’i përdorin për gjëra të dobishme.

“Kemi mësuar se sa njerëz në Kosovë e përdorin internetin, rrjetet sociale, kemi mësuar për aktivitetet artistike filmore, qysh bëhen filmat stop-motion e të tjera. Këto informacione rreth rrjeteve sociale do të na ndihmojë shumë që mos me i keqpërdor, por me i shfrytëzu për gjëra të mira”, ka thënë Mirjon Daku, nxënës nga Gjilani.

Mësimdhënësit pjesëmarrës kanë pohuar se me aktivitete të ndryshme, nxënësit janë informuar lidhur me dukuritë negative, derisa kanë përfituar edhe njohuri për krijimin e videove dhe shkathtësi të tjera artistike.

“Ishte shumë me rëndësi, sepse fëmijët u njohën me probleme të ndryshme që shfaqen sidomos te të rinjtë, dhe jemi munduar që në kuadër të këtij trajnimi t’i njoftojmë nxënësit për anët negative që mund të kenë, siç janë radikalizmi, parandalimi, ekstremizmi, si dhe u njoftuam me metoda të ndryshme për të formuar video me stile të ndryshme, si për shembull ishte metoda stop-motion, si dhe forma të ndryshme”, ka deklaruar Fëllanza Kirajtani, mësimdhënëse nga Prizreni.

Sipas saj, të gjitha këto njohuri dhe teknika gjatë vitit shkollor 2022/2023 do të barten te nxënësit e mësimdhënësit e tjerë të shkollës.

“Ne do të jemi aktivë gjatë tërë vitit që këto t’ua transmetojmë edhe fëmijëve dhe mësimdhënësve të shkollës sonë. Besoj se nëse arrijmë që ta zgjerojmë këtë rrjet, atëherë edhe funksioni dhe vlerat e kësaj do të rriten edhe më shumë”, është shprehur ajo.

Menaxherja e projektit KIST, Vilma Bibaj, ka bërë të ditur se në këtë shkollë verore po marrin pjesë 50 nxënës të moshave 12-14 vjeç, si dhe 16 mësimdhënës tutorë të klubeve të edukimit medial.

“Shkolla verore ‘DokuKids’ 2022 është pjesë e aktiviteteve të projektit KIST, është një nga aktivitetet që e bëjmë në kuadër të këtij projekti dhe ka për qëllim që fëmijët e klasave VI-IDX nga dhjetë komuna partnere, nga dhjetë shkolla të dhjetë komunave, të përforcojnë njohuritë e tyre digjitale dhe të mësojnë gjëra të reja rreth përdorimit të platformave digjitale, në mënyrë që ata t’i adresojnë më mirë lajmet e rreme, dezinformimin si dhe dukuritë e tjera negative, siç kemi dëgjuar bullizmi, bullizmi online, dhuna online e të tjera, të gjitha dukuritë negative me të cilat përballen fëmijët e kësaj moshe ose sfidat e shekullit 21, nëse mund t’i quajmë”, ka thënë Bibaj.

Projekti “Transformimi Shoqëror Inovativ në Kosovë”- KIST zbatohet nga KEC dhe “DokuFest” me përkrahjen e Ambasadës së Holandës në Kosovë. Videot e krijuara në këtë shkollë verore do të jenë pjesë e programit të “DokuKids” në kuadër të festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër që do të mbahet në Prizren prej 5 deri më 13 gusht.