Arbëri

Kafshët me brucelozë asgjësohen dhe groposen dyqind metra afër shtëpive

Qysh prej vitit 2016, kafshë të prekura nga bruceloza, sëmundje me rrezikshmëri të lartë, asgjësohen dhe groposen në afërsi të zonave të banuara në Gumnishte të Gjilanit. Banorët janë të shqetësuar për shëndetin e tyre e në Drejtorinë e Bujqësisë kanë thënë se ndërrimi i lokacionit do të bëhet së shpejti

Njollat e gjakut e pjesë të litarit janë vetëm disa prej gjurmëve të freskëta që kanë mbetur mbi dhe, nga groposja dhe asgjësimi i dhjetëra lopëve të sëmura me brucelozë, në lagjen e Jabuxhëve, në Gumnishtë të Gjilanit.

Këto kafshë të prekura nga kjo sëmundje infektuese, që mund të bartet edhe te njeriu, groposen në këto hapësira qysh prej 2016-s, sipas vendimit që kishte marrë atëkohë Kuvendi i kësaj komune.

Banorët shprehen të shqetësuar për shëndetin, pasi kjo hapësirë gjendet rreth dyqind metra afër shtëpive të tyre.

Rrahman Hajdini ka thënë të kenë kundërshtuar vazhdimisht këtë lokacion dhe të kenë kërkuar ndërrim të tij, por, sipas tij, qeverisjet komunale nuk e kanë përfillur.

“Ujin krejt e kemi nga puset. Po e shihni çfarë vendi i thatë, një bidon këtu ta derdhësh, na vjen nëpër bunarët tanë, nëpër oborre. Dhe, nuk interesohen nëse infektohen fëmijët, a infektohen njerëzit, ata na i sjellin, na i varrosin kafshët. Qe sa herë kemi qenë në komunë, ka qenë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, na ka premtuar që nuk varrosen më, por prapë i sollën. Prapë tash. Nuk e di më se çfarë do të bëjnë”, ka thënë Hajdini.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë edhe këtë javë groposi një numër kafshësh të sëmura. Në Agjenci kanë thënë se bëhet fjalë për sëmundjen ngjitëse të quajtur bruceloza dhe se për të ruajtur shëndetin publik bëjnë asgjësimin e kafshëve.

“Janë sëmundje të rrezikshmërisë së lartë, të cilat mund të barten edhe te njeriu dhe për këtë arsye autoriteti ynë gjatë gjithë vitit zhvillon politika publike për luftimin e këtyre sëmundjeve. Kryhen vaksinimet, kryhen testimet të vazhdueshme dhe në secilin rast ku detektohet prezenca e njërës nga këto sëmundje infektive, gjithmonë vendoset për asgjësimin e menjëhershëm të kafshëve. Dhe krejt procedura e asgjësimit nga marrja e kafshëve në fermë, therja, groposja e tyre gjithmonë bëhet nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë të AUV-it”, ka thënë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV. Sipas tij, në përcaktimin e lokacionit, komunat duhet të respektojnë kriteret dhe kushtet që pengojnë përhapjen e sëmundjes.

“Gjithmonë në përcaktim të lokacionit është autoriteti komunal ai që vendos, sigurisht duhet të respektojë kriteret nuk do të duhet të ketë një lokacion të caktuar, ujëra nëntokësore apo vende të cilat munden eventualisht të ketë ndonjë bartje të virusit, përndryshe në momentin që kryhet asgjësimi nën mbikëqyrjen e inspektorit, nënkupton që janë respektuar të gjitha kushtet për të penguar përhapjen e sëmundjes në çfarëdo formë, sepse madhësia e gropës përcaktohet nga inspektori, thellësia përcaktohet nga inspektori, vendosen preparate pas kryerjes së therjes dhe groposjes së tyre dhe po ashtu mbulimi e pengon në çfarëdo forme bartjen e këtij virusi te njerëzit apo kafshët e tjera”, është shprehur ai.

Se lokacioni aktual është në afërsi të zonave të banuara, e pohojnë edhe në Komunën e Gjilanit.

Drejtori për Bujqësi dhe Pylltari, Bajram Isufi, ka thënë se tri ditë më parë kanë themeluar një komision për identifikimin dhe caktimin e lokacioni të përshtatshëm për groposjen e kafshëve të ngordhura.

“Aty ka edhe fermerë të cilët i kullosin kafshët në atë zonë, njëkohësisht ka edhe biznese dhe qytetarët kanë reaguar edhe më herët, por edhe këto ditë. Domethënë që kemi pasur probleme. Aktualisht Komuna ka marrë një vendim për ndryshimin e lokacionit. Duhet së pari nëpërmjet Kuvendit Komunal të anulohet vendimi i mëparshëm dhe të caktohet lokacioni i ri, i cili besoj që shumë shpejt do të merret vendim nga Kuvendi Komunal dhe do të jetë lokacion i ri dhe të mos ketë telashe me qytetarët dhe me fermerët”, ka thënë Isufi.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, që nga janari në Kosovë, kafshë në 11 ferma kanë rezultuar pozitive me brucelozë dhe janë asgjësuar 59 lopë.

Bruceloza është një sëmundje që shkaktohet nga mikroorganizma të gjinisë “Brucella” dhe që transmetohen te njeriu me rrugë direkte ose indirekte.