Një pronar i një ferme lopësh në Mikushnicë të Skenderajt ka thënë se ka familjarë me simptoma infektimi, meqë prej20 ditësh nuk i janë asgjësuar lopët e prekura me brucelozë. Në Komunë theksuan se kanë caktuar dy lokacione për groposje, porse banorët kanë rezistuar, të frikësuar se mund të infektohen.
23 krerë lopë të infektuara me sëmundjen e brucelozës njëzet ditë më parë në fshatin Mikushnicë të Skenderajt pritet të asgjësohen tek të mërkurën.
Mospajtimet mes banorëve të disa fshatrave për lokacionin e përshtatshëm ku do të bëhej groposja e tyre, kanë bërë që ato ende të vazhdojnë të ekspozohen në natyrë.
Në Komunën e Skenderajt thanë se kanë caktuar dy lokacione për groposje, por banorët kanë rezistuar për shkak të shqetësimit të rrezikut të përhapjes së sëmundjes.
“Mendoj që më e rrezikshme është mos asgjësimi i tyre sesa asgjësimi i tyre me kohë. Por ne kemi provuar me i bindë si ne ashtu edhe zyrtarët e AUV kemi provuar me i bind qytetarët se nuk paraqet rrezik groposja e tyre, pavarësisht asaj ata kanë qenë rezistentë dhe jemi detyruar me e gjetë një lokacion tjetër dhe tash pothuajse e kemi lokacionin dhe nesër në koordinim edhe me zyrtarët e tjerë të AUV kemi me bë groposjen e tyre në fshatin Mikushnicë”, tha Valon Sahiti, nga Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Skenderajt.
Pronari i fermës me lopë të infektuara nuk ka pranuar të prononcohet, por vetëm ka treguar se si pasojë e kontaktit me kafshët, simptoma të infeksionit janë shfaqur edhe tek familjarët.
Sipas tij, kafshët janë të izoluara dhe që nga koha e konfirmimit se janë të infektuara i ka ndërprerë të gjitha porositë e edhe përdorimin e produkteve të tyre.
E në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se vetëm përmes asgjësimit bëhet i mundur pengimi i përhapjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse.
“Në momentin që del rezultati që rezulton pozitiv atëherë në hapa të shpejtë, në momentin që pjekën kushtet teknike-logjistike është mirë që të kryhen asgjësimi, pasi asgjësimi pamundëson përhapjen e sëmundjes tek kafshët e tjera dhe tek njeriu sepse pamundësohet kontakti me kafshët e infektuara. Sepse ato nuk mund të shërohen dhe e vetmja mënyrë është asgjësimi”, tha zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
Të premten e kaluar AUV-i ka bërë asgjësimin e 39 krerë gjedheve të një ferme në Komunën e Istogut, e muajt e fundit ka kryer këtë procedurë edhe në komunën e Gjilanit, Lipjanit dhe Prizrenit.