Arbëri

Kaçaniku organizon akademi përkujtimore për dëshmorët e kombit

Me rastin e 20 vjetorit të rënies së komandantit “Qamil Ilazi-Bardhi” dhe dëshmorëve në komunën e Kaçanikut është organizuar një akademi përkujtimore në të cilën kanë marrë pjesë udhëheqës të shtetit, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale dhe qindra qytetar të kësaj komune.

Me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë mbledhur si shtet i Kosovës për t’i nderuar dhe respektuar jetën, veprën dhe luftën e heronjve të kombit.

“Nuk ka mbetur as një muaj nga koha kur Kosova do të shënoi 20 vjetorin e çlirimit, kur ëndrra shekullore e gjeneratave të Kosovës u bë realitet, kur të pamundurën e bëmë realitet dhe të mundur. E, ky realitet i lirisë së Kosovës kurrë nuk do të arrihej pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftëtarëve të lirisë pa gjakun dhe sakrificat e djemve dhe vajzave më të mirë të kombit. Këtë realitet nuk do ta kishim edhe pa rënien heroike të komandantit Qamil Ilazit dhe bashkëluftëtarëve të tij”, ka thënë midis të tjerash Thaçi.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka thënë se janë disa personalitete të cilët në jetën dhe veprimtarinë e tyre pasqyrojnë gjithë fatin historik të kombit të tyre, andaj kur i përkujtojnë ata njëkohësisht i përkujtojnë edhe sfidat dhe ngjarjet e mëdha nëpër të cilat ka kaluar kombi.

“Një personalitet i tillë ishte vetë Qamil Ilazi – komandant Bardhi. Nga demonstratat e vitit 1968 e deri në rënien e tij më 14 maj të vitit 1999, Qamil Ilazi ishte aty ku duhet të punohet për lirinë e kombit të vetë. Ai me veprimtarinë e tij është shëmbëlltyrë e kombit tonë dhe e luftës së drejtë, luftës së pastër dhe luftës sonë të shenjtë për liri”, ka thënë midis të tjerash Veseli.