Ish-avokati i popullit Hilmi Jashari ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Speciales për t’ia pezulluar kontaktet ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe ish-deputetit Rexhep Selimi është në pajtueshmëri me ligjin dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gjykata Speciale mori vendim të enjten që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Krasniqi t’u pezullohet përkohësisht çdo komunikim me jashtë, pasi pretendohet se kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë.
Jashari ka thënë se vendimi është ligjore, por ka hapësirë për diskutim nëse avokatët mbrojtës mund të gjejnë ndonjë zbrazëti.
“Vendimi është në pajtueshmëri me standardet kombëtare, në përputhje me Gjykatën e Strasbugut. Nuk mund të konsiderohen se s’ka papajtueshmëri ligjore. Por ka hapësire për të diskutuar nëse ka ndonjë zbrazëti të cilën avokatët mbrojtës munden me godit”, ka thënë Jashari në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas ish-avokatit të popullit, problemi më i madh i Gjykatës Speciale është aplikimi i standardeve të dyfishta ndaj Serbisë.
“Problemi më i madh mbetet në tërësi të kësaj gjykate, është në kundërshtim të madh me standardet ndërkombëtare dhe standardet e dyfishta që janë aplikuar ndaj Serbisë. Serbia doli me një gjykatë brenda sistemit juridik në vendin e vet, ndërsa Kosova me një tribunal ta quajë, de-facto që të jetë sistem i Kosovës, de-jure i bie që të jetë koazi-tribunal. Kjo krijon pabarazi dhe ka zgjuar goxha shqetësime te zbatuesit e ligjeve brenda Kosovës. Është paska problematike”, ka shtuar ai.
Edhe
Jashari: Specialja nuk e përmbush standardin e një gjykate të pavarur dhe të paanshme
Jashari ka thënë se me Ligjin për Gjykatën Speciale në vitin 2015 i janë hequr kompetencat edhe Avokatit të Popullit, ku të akuzuarit do të mund të ankoheshin për shkelje të të drejtave të njeriut. Specialja ka krijuar një dhomë sikur Avokati i Popullit, por avokati ka thënë se kjo nuk siguron elemente të pavarësisë.
“Është mekanizëm i veçantë si Avokat i Popullit që ka krijuar Specialja. Ky mekanizëm nuk është në pajtueshmëri të plotë me këto standarde ndërkombëtare. Nuk siguron elemente të pavarësisë që është kyçe për këto institucione. Ky mekanizëm në Dhomat e Specializuara emërohet nga kreu i burimeve njerëzore, që është niveli i tretë i Dhomave të Specializuara”, ka thënë ai.
Jashari ka theksuar se vetë fakti që ka arrestime e bastisje vazhdimisht nga Speciale, “janë dëshmi që nuk kanë fakte të mjaftueshme dhe po synojnë të sigurojnë prova në mbështetje të aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së”.