Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jakupi: Peticioni në veri po organizohet nën presion

Ish-drejtori i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Shkëlqim Jakupi, ka thënë se peticioni për largimin e kryetarëve të komunave veriore po organizohet nën presion, e sipas tij, këtu kanë ndikuar organizatat politike të shtetit serb dhe organizata kriminale.

Ai ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se nënshkrimi i peticionit duhet të bëhet me vullnetin e lirë të qytetarëve, e sipas tij, ka qytetarë serbë që janë të pakënaqur me tërë procesin.

“Organizimi i këtij peticioni nënkupton se ky proces po organizohet nën një presion të paparë nga organizatat politike të shtetit serb, pa përjashtuar organizatat kriminale që operojnë në atë pjesë...Nënshkrimi i peticionit apo çfarëdo peticioni duhet të bëhet me vullnetin e lire e pa kushtëzime nga askush tjetër. Nëse qytetari s’e ka shprehur vullnetin për kryetarë e as për peticion, nëse ka nënshkruar nga kërcënimi i dikujt, duhet t’i paraqesin rastet në forma të ndryshme që të kontestohet nënshkrimi i tyre e të mos tjetërsohet vullneti i tyre”, ka shtuar ai.

Sipas Jakupit, udhëzimi administrativ për peticionin për largimin e kryetarëve të komunave është i qartë dhe ka hapësira për lehtësimin e procedurave, e siç ka thënë ai, disa procedura janë edhe përtej udhëzimit. I pyetur se a mund të arrihet përqindja e nevojshme në peticion, Jakupi u shpreh skeptik.

“Varësisht nga interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këtë proces, mund të arrihet përqindja e përcaktuar për largimin e kryetarëve, por disa qytetarë serbë janë shprehur të pakënaqur me veprimet e kryetarëve serbë që dhanë dorëheqje e sollën këtë proces. Nëse qytetarët hezitojnë të marrin pjesë, e dinë se vendimi i kryetarëve të veriut ishte vendim i orkestruar nga Serbia. Lista Serbe mund t’i lë sërish qytetarët e veriut pa shërbime”, ka potencuar ai.

Edhe Fuqizimi i vendimmarrjes së qytetarit Arbëri Fuqizimi i vendimmarrjes së qytetarit

Sipas tij, arritja e 20-përqindëshit është kusht optimal për largim.

“Nënshkrimi i 20-përqindëshit nga qytetarët plotëson kushtin për t’u organizuar një referendum që të vendosin qytetarët për largimin e kryetarit. Kushti për largimin e kryetarit nga komunat është 51%”, ka thënë Jakupi.