Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jabllanoviqi tërhiqet nga zgjedhjet

Aleksandar Jabllanoviq

Partia e Serbëve të Kosovës nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 23 prill në veri, ka thënë lideri i kësaj partie, Aleksandar Jabllanoviq, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Leposaviq të enjten.

Sipas Jabllanoviqit, nuk ka kushte adekuate për mbajtje të zgjedhjeve. Ai është ankuar për mënyrën se si do të mbahen ato, duke përmendur faktin se do të mbahen në kontejnerë dhe se siguria do të garantohet nga Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk ka pasur presion për pjesëmarrje në zgjedhje, ndonëse ka pritur diçka të tillë. Jabllanoviq u ka bërë thirrje të gjithë përkrahësve që të mos dalin të dielën në zgjedhje, transmeton REL.

Kjo parti e ka pasur vetëm një kandidat për kryetar, vetë Jabllanoviqin, dhe 20 kandidatë për asamble komunale të Leposaviqit.

Pavarësisht tërheqjes deklarative të Jabllanoviqit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se tashmë janë shtypur fletëvotimet. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës, më 23 prill. Po ashtu, më 27 mars 2023 ka përfunduar edhe afati për tërheqjen e subjekteve politike nga gara zgjedhore. Pasi janë përmbyllur të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, KQZ-ja ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve. Së fundmi, procesi i shtypjes së tyre ka përfunduar gjatë ditës së sotme, e enjte”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri po organizohen pasi kryetarët e katër komunave, nga radhët e Listës Serbe, u dorëhoqën në nëntor të vitit të shkuar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale. Lista Serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa së fundmi është rritur presioni ndaj serbëve që s’u binden urdhrave për bojkot të zgjedhjeve.