Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Lista Serbe ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi thotë se nuk janë përmbushur kërkesat që i kanë shtyrë ata të largohen nga institucionet e vendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë sonë politike se nga data 9 mars e deri më 18 mars do të jetë afati i fundit për paraqitje të partisë për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës e M.. Me këtë rast shfrytëzojmë rastin t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë plotësuar kërkesat për të cilat ne u larguam nga institucionet e Kosovës dhe as nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, ka thënë Lista Serbe në komunikatë. “Kjo e bën edhe më të qartë se Prishtina dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë duke u përpjekur që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës e M., kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës do mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të largimit kolektiv të punëtorëve të etnisë serbe nga institucionet e Kosovës.

Ky veprim u ndërmor në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të targave serbe, në targa të Kosovës, vendim i cili më pas u pezullua me një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, një tjetër kërkesë e Listës Serbe për t'u kthyer institucioneve të Kosovës është edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Autoritetet e Kosovës deri tani e kanë refuzuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar të dëmshme dhe duke thënë se nuk mund të lejohet krijimi i bashkësive njëetnike.