Profesori në Universitetin e Utrehtit, Kushtrim Istrefi, ka thënë se dhënia e pronave Manastirit të Deçanit nuk është vendim i marrë nga Sllobodan Millosheviqi më 5 nëntor të vitit 1997, por vendim i marrë nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit e udhëhequr nga UNMIK-u.
Sipas tij, AKM-ja ka bërë ujdi që këto toka t’i falen Manastirit të Deçanit dhe si shenjë dhurate, ky manastir t’ia dhurojë disa prona komunës së Deçanit brenda qytetit.
“Origjina e mospajtueshmërisë rreth pronave të Manastirit të Deçanit daton nga 5 nëntori i vitit 1997, kur Qeveria e Serbisë ka vendosur t’ia dhurojë këto prona Manastirit të Deçanit. Ky në vetvete por pastaj edhe legjislacioni i UNMIK-ut ka përbërë bazë ligjore që vendimet dhe legjislacioni i viteve të 90-ta të mos ketë fuqi juridike në Kosovë. Ajo se sot i janë dhënë pronat Manastirit të Deçanit dhe atë që e ka konfirmuar Kushtetuesja më 2016, nuk është vendimi i 97-s i Serbisë, por është një bazë tjetër juridike që nuk diskutohet në thellësi shpeshherë dhe ky është një vendim që e ka marrë AKM-ja, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit e udhëhequr nga UNMIK-u, i ka falur këto toka nëpërmjet një ujdie që ia ka dhënë Manastirit të Deçanit dhe si shenjë dhurate Manastiri i Deçanit i ka dhënë disa prona në qytet të Deçanit, komunës së Deçanit”, ka thënë ai.
Sipas Istrefit, për këtë rast ekziston një marrëveshje dhe nuk ka mundësi që të ngrihen raste për ta atakuzar zbatimin e vendimit të gjykatës.
“Baza juridike të cilën vetë Gjykata Supreme e më pas edhe ajo Kushtetuese e pranon, nuk është ajo e vitit ‘97, por është një ujdi që ka ndodhur dhe e ka krijuar bazën juridike për pronat që i janë dhënë Manastirit. Mbetet nga institucionet tona që të jenë të kujdesshme dhe ta bëjnë interpretimin e duhur që të kuptohet se për rastet tjera, ky rast nuk është i zbatueshëm dhe rrjedhimisht nuk paraqet precedent të rrezikshëm”, ka shtuar ai.
Edhe
Historia për pronat e kontestuara të Manastirit të Deçanit
Istrefi më tej ka bërë të ditur se 13 marsi ka qenë data e fundit për realizimin e këtij vendimi në mënyrë që të arrihet proceduralisht që më 15 prill të mundësohet votimi pozitiv për Kosovën.
“Nuk ka asnjë indikacion që nuk do të ndodhë votimi pozitiv në Asamblenë Parlamentare në mes të prillit”, ka thënë tutje ai.