Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar sot në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit. Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit, ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit. Ndërsa, sipas Kurtit, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.
Sipas kryetarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” të degës së Deçanit, Shkodran Imeraj, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat në Deçan është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e kushtetues së Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës në vitin 2008.
“Sot është një ditë zie për Kosovën, jemi të befasuar dhe tepër të indinjuar, shumë të shqetësuar me vendimin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat në Deçan është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e Kushtetues të Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi të Kushtetutës të Kosovës në vitin 2008. Jemi të befasuar me qëndrimin e kryeministrit Kurti, i cili i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Kushtetutës për pronat në Deçan dhe duke i dhuruar 24 hektarë prona Manastirit të Deçanit në vendimet e kohës së Millosheviqit si dhe me qëndrimin e kryediplomates Gërvalla, e cila mezi kishte pritur të njoftonte Asamblenë e Këshillit Evropian, se Kosova sot i zbatoi vendimet e Millosheviqit”, tha ai.
Imeraj, shtoi se kanë kërkuar ndihmën e juristëve dhe avokatëve me të mirë që lënda të trajtohet dhe të përgatitet në mënyrë për të dërguar në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg.
“I rikujtojmë kryeministrit Kurti, se ai shkeli mbi qëndrimin e tij, mbi dy dekada sa i takon Manastirit së Deçanit. Për ne, vendimet e kohës së Millosheviqit janë të papranueshme dhe duhet të jenë të papranueshme edhe për të gjithë qytetarët e Republikës sonë, e cila është ndërtuar mbi gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit shqiptar. Me sot po hapet udha e precedentëve të rrezikshëm për Kosovën duke nisur që nga Kisha në pronën e Universitetit të Prishtinës dhe për të vijuar më shumë kisha e manastire të tjera gjithandej territorit të Kosovës që i ndërtoi regjimi i Millosheviqit. Ne përpjekjet tona nuk do t’i ndalim as në vijim si për të mbrojtur këto prona dhe qysh sot ne kemi kërkuar ndihmën e juristëve dhe avokatëve me të mirë që lënda të trajtohet dhe të përgatitet në mënyrë për të dërguar në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg”, shtoi ai.
Ndërkaq, Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar sot se vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit është i rëndësishëm dhe një hap i domosdoshëm, ndonëse i vështirë për institucionet e Kosovës. /KSP
-
Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë
-
QUINT-i mirëpret vendimin për pronat e Manastirit
-
Ambasadorët e quajnë të guximshëm urdhrin për Manastirin, Komuna e Deçanit e kundërshton
-
Kurti urdhëron zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit
-
Ramosaj për vendimin për tokat e Manastirit: Deçani përsëri goditet padrejtësisht