Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramosaj për vendimin për tokat e Manastirit: Deçani përsëri goditet padrejtësisht

Bashkim Ramosaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar pasi që Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Në një status në Facebook, Ramosaj ka shkruar se Deçani është goditur sërish padrejtësisht.

Ai ka thënë se qe tri vjet ai ka pritur që kryeministri ta takojë për të diskutuar edhe për këtë temë.

“Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti! ... Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takoj një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot! ‘Kur nuk je i zoti të bësh një hajr në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi!’”, ka shkruar Ramosaj në një komunikatë për media të publikar në Facebook.

Sipas tij më herët kjo Komunë ishte goditur edhe nga “vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit”.

Edhe Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë Arbëri Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë

Deçani sipas Ramosjat, së pari ishte goditur “padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua ‘Zona e Veçantë e Mbrojtur’, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’; e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone”.

“Parku Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ të vitit 2012, i cili e ndaloj dhe kufizoj mundësinë për të jetuar më mirë në këtë qytet, mundësinë e zhvillimit të kësaj komune, implementimin e shumë projekteve strategjike, të cilat tani më është dashur të jenë të përfunduara. Park Nacional i cili është bërë pengesë shtesë e zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Ramosaj.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.

Edhe Beteja për Manastirin Arbëri Beteja për Manastirin

Para rreth tri vjetësh, Gjykata Kushtetuese deklaroi se vendimi i saj nuk është duke u zbatuar. Në këtë vendim, Kushtetuesja thekson se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por që një vlerësim i tillë i takon Prokurorit të Shtetit, në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Çështja e pronës në Manastirin e Deçanit kishte krijuar mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, edhe për ndërtimin e rrugës kryesore Deçan - Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge fillimisht janë zhvilluar përmes Zonës së Mbrojtur të Manastirit dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq para rreth katër vjetësh, një Këshill i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, kishin miratuar një marrëveshje për ndërtimin e një rruge alternative.