Arbëri

Ismaili: Qarkullimi i pakontrolluar i parasë e ka dëmtuar integritetin e sistemit financiar, s’tolerohet

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se rregullorja e re e përafron Kosovën me standardet më të larta të Bashkimit Evropian dhe direktivat e BE-së për sa i përket shpëlarjes së parave, financimit të terrorizmit, krimit financiar po ashtu aspekte tjera të informalitetit të ndërlidhura me to.

Në “Konfront” të KTV-së ai ka theksuar se çështja e rregullimit monetar nuk bëhet çështje debati publik si tani kur është bërë me vendimin që vetëm euro të jetë valuta për kryerjen e transaksioneve në Kosovë.

“Çështja e rregullimit monetar dhe instrumenteve monetare në përgjithësi nuk është një çështje që debatohet gjerësisht në publik. Pra, nuk është çështje që mund të hapet në diskutimet e gjëra çfarë po aludohet në përgjithësi sepse kam përshtypjen që ma shumë e kanë përvojën nga rregulloret tjera që vijnë nga institucione tjera sesa nga Banka Qendrore. Banka Qendrore ka vendosur një mekanizëm i cili është mekanizëm i rëndomtë dhe nuk është mekanizëm i jashtëzakonshëm dhe në mënyrë specifike nuk ka ndaluar asnjë valutë dhe as dinarin. Siç mund ta shihni në rregullore ajo në asnjë rast nuk i referohet një valute specifike përveç se flet për euron. Konsultimet që ne i kemi bërë me institucionet financiare dhe këto konsultime kanë rezultuar me një rregullore të re që është miratuar më 27 dhjetor”, ka thënë ai.

Ismaili ka shtuar se me marrjen e një vendimi të tillë nuk është menduar se do të ketë ndonjë problem.

“Komunikimet tona me partnerët tanë janë të një natyre që ne konsultohemi në aspektet më të përgjithshme, kontributi i tyre ka qenë në krijimin e një Banke Qendrore e cila duhet të jetë e aftë që vetë t’i përgjigjet sfidave të veta. Komplikimi që tash po paraqitet nga këndvështrimi i Bankës Qendrore ne kemi paraparë të gjitha aspektet që ndërlidhen me të dhe kemi menduar që të gjitha janë të zgjidhshme”, ka shtuar tutje ai.

Sipas Ismailit, qarkullimi i pakontrolluar i parasë e ka dëmtuar integritetin e sistemit financiar.

“Pra lënia e pakontrolluar e sasisë së parasë që hynë që qarkullim dhe ajo që del nga qarkullimi e në masë të madhe e ka cenuar dhe dëmtuar integritetin e sistemit financiar është pamundshme të besohet që kjo mund të tolerohet kur ne kemi aspirata integruese dhe rruga jonë drejt anëtarësimit në sistemin e zonës së vetme të pagesave të Bashkimit Evropian dhe vetë aspiratat tona integruese janë të lidhura në këtë drejtim. Prandaj, nëse BQK-ja i trajton këto për nga sentimenti unë mendoj që shumë çështje tjera kishim mujt me i hapë, nuk është çështje dëshirore se euroja duhet të jetë valutë apo jo. Nëse nuk do të ishte mbase do të kishim preferenca të tjera. Euroja është valuta e vetme e ligjshme e pagesave dhe valutat tjera nuk janë të ndaluara dhe jemi të bindur që nuk ka asnjë kufizim që qytetarët tanë serbë të mund të financohen – të pranojnë ndihmat e tyre apo benefitet nga shteti i Serbisë në mënyrë transparente dhe përmes mekanizmave ligjorë. S’kemi besuar dhe s’besojmë që është vetëm dinari mënyra që serbët marrin ndihmat e tyre”, ka potencuar ai.