Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sasha Mirkoviq, ish-nënkryetar i Kllokotit, duke e dënuar me 1 vit burgim lidhur me akuzën për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
Aktgjykimi ndaj Mirkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndaj Mirkoviq, Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues - ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Gjykata obligoi të akuzuarin që në emër të shpenzimeve gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Sasha Mirkoviq akuzohej se në periudhën kohore janar – shkurt 2021, në territorin e Komunës së Kllokotit, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, në bashkëkryerje me të dënuarin Bozhidar Dejanoviq dhe persona të tjerë, ka përdorur kanosje serioze ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore para dhe gjatë zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.
Në aktakuzë thuhet se, së bashku me kryetarin e Komunës së Kllokotit, të dënuarin Bozhidar Dejanoviq, kanë ushtruar presion dhe kërcënim serioz ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë të Komunës së Kllokotit, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik “Lista Serbe”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mirkoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota me metoda të njëjta, për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”, duke i kanosur qytetarët me humbje të vendit të punës apo me humbjen e të drejtës në pagesë sociale dhe kështu kanë ndikuar dhe i kanë detyruar qytetarët që të votojnë në mënyrë të caktuar, përkatësisht për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”.
Me këtë, Sasha Mirkoviq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimi të lirë të votuesve” e sanksionuar me nenin 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me një deri në pesë vjet burg.