James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja. 

 

 

 

Rubin mohon: Thaçi s’e refuzoi Rambujen për shkak të çarmatosjes së UÇK-së

1 muaj më parë / 15 sht 2025 17:36
James Rubin

Dëshmitari James Rubin mohoi se njëra ndër arsyet se pse Hashim Thaçi nuk e ka nënshkruar në raundin e parë marrëveshjen e Rambujesë, ishte se nuk donte që UÇK-ja të çarmatosej.

“Jo. Me sa di unë, jo”, tha James Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë bisedimeve në Rambuje, Rubin tha se pala shqiptare kërkonte siguri nga NATO që do të përdorte forcën e saj nëse forcat serbe do vazhdonin me shtypjen e tyre.

“Kërkohej siguri që të jepnin nga NATO që do të vazhdonte më tej me procesin, pra me premtimin e saj që të përdorte forcën e saj në qoftë se serbët vazhdonin me shtypjen e tyre, nëse serbët nuk e bënin këtë gjë, nëse Qeveria serbe nuk nënshkruante atëherë kërkonin që t’iu jepnin siguri që në rast që të gjithë të tjerët nënshkruanin, atëherë NATO të tregonte forcën”, tha ai.

Rubin tha se shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre në Rambuje kërkonin siguri prej ndërkombëtarëve që ta mbanin premtimin e tyre.

“Ata po kërkonin për siguri që ne do iu jepnim atyre dhe që do të mbanim premtimin tonë”, tha James Rubin.

Rubin tregoi se Hashim Thaçi kërkonte edhe miratimin e Adem Demaçit për marrëveshjen e Rambujesë dhe se kjo tregonte se ai nuk ishte vartësi i tij, por epror i Thaçit.

Rubin tregoi se sa e ka kuptuar ai, Demaçi kishte kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.

 

James Rubin: Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së

1 muaj më parë / 15 sht 2025 16:39
rubin

James Rubin

Ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin tha se diplomati Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së. Tha se vazhdimisht po tentonte që ta dëmtonte figurën e tij dhe figurën e sekretares Madeleine Albright.

“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm dhe ishte në favor të LDK-së, kundër UÇK-së. Unë isha i paanshëm. Chris Hill në mënyrë shumë të pamatur ka qenë i anshëm. Është përpjekur të më dëmtoj figurën mua dhe të dëmtojë sekretaren Albright duke u thënë se ajo kishte influencuar drejtuesin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne e kishim vetëm një objektiv që deshëm ta arrinim atje”, tha ai.

Rubin tha se Christopher Hill ishte personi që i dëmtoi bisedimet atje dhe ishte shkaku që nuk e morën “po” nga UÇK-ja për marrëveshje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kjo deklaratë e James Rubinit erdhi pasi prokurori James Pace ia lexoi një deklaratë të Hillit, ku ky i fundit kishte thënë se Rubin e udhëzonte Thaçin edhe çfarë kostumi dhe kravate të veshte.

Këto pretendime, ai i quajti “mite” dhe jo të vërteta që kanë dalë nga Hill.

VIDEO:

Rubin për Qeverinë serbe: Gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në për krimet e tyre

1 muaj më parë / 15 sht 2025 15:52
James Rubin

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin, i cili është duke dëshmuar me autorizimin e Qeverisë Amerikane, tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet, duke i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvecionale, por po vepronin si kriminelë për t’i fshehur krimet.

“Është karakteristikë që kemi parë në Bosnje dhe përsëri në Kosovë… ata gjithmonë janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në. Pra, Qeveria Serbe. Kjo është mënyra që ata e justifikonin atë që po bënin duke hedhur fajin tek të tjerët”, tha ai.
Rubin përmendi edhe një takim që kishte pasur me Jakup Krasniqin në Bruksel, ku Krasniqi i kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake të Amerikës, armatosjen e UÇK-së dhe ndalimin e spastrimit etnik nga Slobodan Millosheviq.

Dëshmitari tha se kërkesat e Krasniqit ishin racionale në atë kohë, por ishte e pamundur që të realizoheshin në atë periudhë kohore.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit për dëshmitarin dhe do të vazhdojë me pyetje Prokuroria, përfaqësuar nga prokurori James Pace.
Prokurori Pace tha se i duhen 4 orë për pyetjet e tij.


Përfaqësueset e Qeverisë amerikane japin vërejtje

Në seancën e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë dëshmisë së James Rubin, të pranishme janë edhe dy përfaqësuese të qeverisë amerikane, Terra Gerhersanem dhe Joana Corner. Njëra prej tyre mori fjalën duke treguar se kur iu duhet të ndërhyjnë gjatë dëshmisë së James Rubin.

Ajo tha se dëshirojnë që të japin vërejtje ndaj Rubinit dhe pyetjes që i është bërë atij për dhënie të informacionit me hollësi lidhur me burime konkrete dhe përfundime të nxjerra nga persona brenda qeverisë amerikane dhe në veçanti atyre të inteligjencës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ndërhyrje të shkurtër në emër të ShBA-së, siç e keni parë me siguri dëshminë në mëngjes, ne synojmë që të mos ndërhyjmë këtu, prania jonë mos të ndërpres seancën përveç se në rastet kur është e nevojshme. Për të bërë këtë, ne ndihmohemi nga dokumente që zoti Rubin ka përdorur dhe të cilave iu është referuar qoftë publike apo dokumente të brendshme që janë deklasifikuar. Ne donim të jepnim një vërejtje të shkurtër sa i takon zotit Rubin dhe pyetjes që i është bërë atij për dhënie të informacionit më në hollësi lidhur me burimet konkrete dhe përfundimet nga të tjerët brenda Qeverisë amerikane, në veçanti të inteligjencës. Në këto raste kemi nevojë të ndërhyjmë. Deshëm që këtë ta bëjmë të qartë”, tha ajo.
 

James Rubin: S’kemi gjetur asnjë provë lidhur me pretendimet për vrasje nga Thaçi dhe Krasniqi

1 muaj më parë / 15 sht 2025 14:26
James Rubin

James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se nuk ka pasur asnjë të dhënë apo provë që Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin e lidhin me vrasje dhe ekzekutime.

James Rubin gjithashtu tha se edhe kur ka biseduar me miq të tij që kanë punuar në agjenci të inteligjencës nuk i kanë dhënë informacione të tilla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime të tilla dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi. Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me ketë pretendim dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, tha ai.

Rubin tha se niveli i dezinformimit në Ballkan ka qenë shumë i madh kryesisht i ndikuar nga Rusia dhe Kina për qëllime të caktuara.

Po ashtu, dëshmitari u pyet për rastin “Panda” në Pejë, për të cilin tha se nuk i kujtohet konkretisht, por incidente të tilla të ngjashme kanë ndodhur.


Rubin: Deri në ndërhyrjen e NATO-s, s’kemi besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturën që ne e mendonim

James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se deri me ndërhyrjen e NATO-s, nuk kanë besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturën që ata e kanë menduar.

“Deri në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ne nuk e kemi e besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturë që ne e mendonim që ishte një strukturë e mirëorganizuar ushtarake”, tha Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Rubin tha se nuk merrte informacione nga misioni i GDOM-it në Kosovë lidhur me strukturën e UÇK-së dhe se ata ishin të fokusuar në lëvizjet e forcave serbe dhe veprimet e UÇK-së.

Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Kadri Veselit për të vazhduar më pas mbrojtja e Jakup Krasniqit, përmes avokates Shyamala Alagendra pasi që mbrojtja e Rexhep Selimit nuk pati pyetje.
Rubin tha se në grupin e kontaktit ka pasur kontakte minimale me Jakup Krasniqin dhe se pikë kontakti për udhëheqjen e shqiptarëve të Kosovës e kishte Hashim Thaçin.
Ai tha se pjesa më e madhe e anëtarëve të delegacionit ishin pro nënshkrimit të marrëveshjes. Po ashtu, u pajtua se konsultimi duhej të bëhej me komandantët e zonave.
Për disa nga pyetjet, Alagendra kërkoi seancë private e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Në këtë seancë, James Rubin pohoi se Ramë Buja, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi përshkruheshin se persona të moderuar brenda UÇK-së.


“Donim të ishim në anën e të mirëve, këta ishin persona pa pushtet e viktima. S’do ishin të tillë nëse do kryenin krime lufte”

Dëshmitari James Rubin duke folur për marrëdheniet e CIA-s amerikane me anëtarët e UÇK-së, tha se ata kanë dashur që të jenë në anën e ‘engjëjve’ apo njerëzve të mirë, pasi këta persona ishin persona pa pushet dhe viktima.

Dëshmitari kishte thënë se e ka kuptuar se më 1998-ën CIA kishte kontakte me Ramush Haradinajn, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë nuk e mësova për CIA-n me Haradinajn. Këtë e kam mësuar më ’99-ën, por në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur edhe më ’98-ën. Mësova më ’99-ën kur shkova në Kosovë dhe takova shefin e CIA-s dhe gjithë punonjësit e CIA-s, atëherë mësova për marrëdhenien e tyre me Haradinajn dhe e  di që kishin vite që kishin kontakt me njëri-tjetrin.Unë duhet ta them këtu që officeret e CIA-s që e njihnin Administraten Cliton se ka pasur dy aspekte të rëndësishme për ne; Islamizmi dhe krimet e luftës. Këto kanë qenë prioritetet e administratës Clinton”, tha ai.

Pastaj, nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari u pyet se a është e vertetë që nuk mund të ishin partnerë me asnjë organizatë që nëse ajo organizatë ishte përfshirë në aktivitete terroriste ose krime lufte.

“Pas Bosnjës, ku e menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante dhe jokaotike, pamë situatë të re në Kosovë dhe ne donim të siguroheshim që të ishim në anën e engjëjve, në anën e të mirëve. Nuk donm që ata të ishin viktima. Nuk do të ishin viktima në rast që ata do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste-islamiste. Donim të ishim në anën e viktimave dhe nëse dilte diçka ndryshe, kjo do të ishte kundër çdo gjëje që ne besonim”, tha ai.

Ai tha se nuk do të dëshironin që të harxhonin miliona dollarë me persona që nuk shprehnin tolerancë të paktën publikisht.

“Këta ishin persona pa pushtet, ishin viktima. Ne takoheshim me ata ndërkohë që ata ishin viktima të një shtypësi dhe në anën e kundër të një pushteti në Kosovë”, tha Rubin, duke thënë se përpiqeshin që as këta mos t’i ndiqnin veprimet e shtypësit.

James Rubin tha se nuk i kujtohet që Albright i kishte thënë Thaçit që do të mbante përgjegjësi penale për krimet që do kryheshin në Kosovë pas ndërhyrjes së KFOR-it.

VIDEO:


Rubin: Kishte akuza të fabrikuara që tentonin ta cenonin marrëdhënien tonë me popullin e Kosovës

James Rubin, në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasnqi në Hagë, tha se ka dëgjuar vazhdimisht akuza për vrasje për terrorizëm e për gjëra të tilla gjatë kohës së luftës.

Sipas tij, këtë e konsideron normale pasi ata tashmë kanë shpëtuar shumë njerëz nga masakra dhe po tentohej të cenohej marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me popullin e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne kishim ndihmuar shqiptarët e Kosovës, ishin shumë mirënjohës se ua kishim shpëtuar jetën. Edhe udhëheqësit e tyre ishin mirënjohës dhe të kujdesshëm me deklaratat dhe kërkesat që vinin nga presidenca e SHBA-ve duke përfshirë edhe përfaqësuesit e tyre, duke përfshirë edhe unë. Unë e dija që kishim shumë influencë ndaj tyre. Kështu që mendonim se ishte normale që për çështje terrorizmi të dëgjonim herë pas here historira fundamentaliste islamike që po përpiqeshin të depërtonin në Ballkan dhe e trajtonim me ta në këtë temë. E kuptuam që kryesisht ishin të fabrikuara dhe synonin të ndikonin në mbështetjen tonë. Ne thjesht ndihmuam njerëzit që të mos masakroheshin dhe këto akuza tentonin ta cenonin këtë marrëdhënien tonë”, tha ai.

Rubin tha se që nga hera e parë deri tek herën e fundit, iu është krijuar përshtypja që për Thaçin, Amerika ishte një simbol dhe dëshironte mbështetjen e saj.

Ndryshe, pas përfundimit të pyetjeve nga mbrojtja e Thaçit, me pyetje po vazhdon mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.


Rubin për UÇK-në: Nuk kishte njësi të organizuara që dikush të kishte autoritet për të diktuar

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se nuk mendonin dhe as nuk besonin që kishte sistem në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që funksiononte në mënyrën e duhur në strukturë. Sipas tij, nuk kishte njësi të organizuar që dikush të ishte në krye ose të kishte autoritetin të dikonte.

Sipas avokatit Luka Mishetiq, që Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në, është vlerësim që është verifikuar dhe pohuar nga agjenci të shumta si Pentagoni, agjenci të inteligjencës, të cilën e kishte thënë edhe Biden si senator në senat.

James Rubin u pyet se a ishte në përputhje me vlerësimin që jepte Qeveria e ShBA-së në atë kohë.

“Kjo ishte në përputhje sepse të dy deklaratat pasqyrojnë faktin se Hashim Thaçi nuk ishte në kontroll, se nuk mendonim dhe besonim që kishte sistem të kontrolluar që do quhej një sistem që funksiononte në mënyrë të duhur të strukturuar të UÇK-së. Nuk kishte njësi të organizuar që të quhej e tillë që dikush ishte në krye dhe kishte autoritet apo informacion dhe aftësi për të diktuar apo për të ditur se çfarë po ndodhë. Konkretisht, Hashim Thaçi nuk ishte as në krye të kësaj organizate. Në krye ishte gjeneral Çeku dhe senatori Biden duhej ta kishte ditur për zotin Çeku”, tha James Rubin.
 

Rubin: Para Rambujesë Thaçin s'e njihte asnjë zyrtar i SHBA-së

1 muaj më parë / 15 sht 2025 12:07 Nga: Ardit Kika
James Rubin

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, tha se nuk e njihte ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin para se të shkonte në Rambuje. Ai shprehu besimin që as zyrtarë të tjerë të ekzekutivit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e njihnin atë para nisjes së negociatave në Rambuje. 

Ai ka thënë se në takimin e parë, Thaçi e kishte njohur atë pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe dilte shpesh në televizione.

“Më kujtohet takimi i parë që më duket është ai që sapo përmendët (në shkurt 1999 v.j) që ishte i regjistruar në kabllogram dhe më kujtohet që ai më njohu menjëherë përmes televizionit sepse unë isha zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe dilja shpesh në televizion – kryesisht për ata që ishin të interesuar për atë që ndodhte në ish-Jugosllavi. Pra, ai më njohu. E në ato ditë kur dikush të njihte ata lëviznin, shpreheshin fizikisht, të shtrëngojnë dorën apo japin shenja fizike dhe znj. Albright e vërejti këtë që e ai e bëri, që më njohu pra. Ajo ishte shumë e zonja për nga marrëdhëniet njerëzore dhe më tha menjëherë: Jamie, bisedo me të, njihu me të!”, deklaroi Rubin.

Ai theksoi se ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright i tha të dilte dhe të njihej me të.

“Sepse unë s’e njihja, askush s’e njihte në fakt në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Të paktën unë nuk e njihja. Pra ne donim të dinim më shumë se kush ishte udhëheqësi i delegacionit sepse ne donim të shkonim në favor të marrëveshjes së paqes. Pra ajo më tha, njihu me të, dil me të, ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur. Dhe kështu bëra gjatë atyre, besoj dy javëve. U përpoqa të rrija me të, të kaloja kohë më të”, tha Rubin.

Rubin është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Thaçit.


Rubin për UÇK-në: Nuk kishte njësi të organizuara që dikush të kishte autoritet për të diktuar

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se nuk mendonin dhe as nuk besonin që kishte sistem në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që funksiononte në mënyrën e duhur në strukturë. Sipas tij, nuk kishte njësi të organizuar që dikush të ishte në krye ose të kishte autoritetin të dikonte.

Sipas avokatit Luka Mishetiq, që Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në, është vlerësim që është verifikuar dhe pohuar nga agjenci të shumta si Pentagoni, agjenci të inteligjencës, të cilën e kishte thënë edhe Biden si senator në senat.

James Rubin u pyet se a ishte në përputhje me vlerësimin që jepte Qeveria e ShBA-së në atë kohë.

“Kjo ishte në përputhje sepse të dy deklaratat pasqyrojnë faktin se Hashim Thaçi nuk ishte në kontroll, se nuk mendonim dhe besonim që kishte sistem të kontrolluar që do quhej një sistem që funksiononte në mënyrë të duhur të strukturuar të UÇK-së. Nuk kishte njësi të organizuar që të quhej e tillë që dikush ishte në krye dhe kishte autoritet apo informacion dhe aftësi për të diktuar apo për të ditur se çfarë po ndodhë. Konkretisht, Hashim Thaçi nuk ishte as në krye të kësaj organizate. Në krye ishte gjeneral Çeku dhe senatori Biden duhej ta kishte ditur për zotin Çeku”, tha James Rubin.

Rubin: Thaçi nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë

1 muaj më parë / 15 sht 2025 11:30 Nga: Ardit Kika
James Rubin

Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi që të diktonte asgjë, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.

Rubin tha se nuk e shihte Hashim Thaçin si faktor kryesor në Rambuje, por si i pasqyrues i qëndrimeve të delegacionit shqiptar. 

Sipas tij, Thaçi nuk ishte në gjendje të marrë vendime pa u konsultuar me të tjerët. 

"Ai ishte një person që i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare siç ishte asokohe. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra diku e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhet ta merrte lejen prej tyre. Ai nuk kishte vetë mundësi. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla dhe kushte. Kështu që kur ne dëshironim të bënim diçka shumë të rëndësishme, atij i duhet të komunikonte me persona të tjerë për t’i dhënë miratim”, tha Rubin. 

Ish-diplomati amerikan deklaroi para Gjykatës Speciale se për arritjen e një marrëveshjeje paqeje duhet të arrihej pajtimi i faktorit ushtarak, andaj Thaçi e kryesonte delegacionin në Rambuje.

Rubin tha se e ka parë vetë në takime me komandantët e UÇK-së, se nuk ishte Thaçi ai që urdhëronte të tjerët, por komandantët i tregonin Thaçit se çfarë duhej të bënte. 

“Në Rambuje Thaçi shprehu shqetësim se s’kishte autorizime për nënshkrim në emër të UÇK-së”

1 muaj më parë / 15 sht 2025 10:23 Nga: Ardit Kika
James Rubin

Në prezantimin e shkurtër që ia bëri James Rubinit, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka theksuar se dëshmitari ishte i dërguar i lartë i sekretares së Shtetit Madeline Albright dhe u përfshi në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe në demobilizimin e UÇK-së. 

Mishetiq tha se dëshmitari, Rubin, ka treguar paraprakisht në dëshminë e tij para mbrojtjes se në Rambuje, Thaçi i ka treguar se ishte i shqetësuar se nuk kishte autorizimet e nevojshme për të dhënë nënshkrimin e tij në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rubin po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja. 

Rubin nis dëshminë, dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit të pranishëm

1 muaj më parë / 15 sht 2025 10:01
James Rubin

James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Rubin ka nisur dëshminë, ndërsa dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit të pranishëm në gjykatore.

Dëshmia e Rubinit pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

Avokati i Thaçit: Sot do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën

1 muaj më parë / 15 sht 2025 09:50
Pierre Richard Prosper

Foto: KSP

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se sot “do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999”.

Këto deklarata ai i bëri para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Ai do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziast për sot, sepse do të na japë një mundësi që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të ri-ekzaminojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë dhe shpresoj që mund të jeni prezent dhe të raportoni drejtë për çfarë do të ndodhë sot këtu”, u shpreh ai.

Mbrojtja e Thaçit nuk ka dhënë detaje për dëshminë, veçse shtoi se “nëse Dhomat e Specializuara dëgjojnë të vërtetë, atëherë do të kemi mundësi për një vendim të drejtë”.

“Nuk dua të jap detaje për dëshminë, por prapë, kjo është mundësia jonë që të dëgjojmë të vërtetën se çfarë ndodhi dhe të kuptojmë rolet dhe përgjegjësitë janë...Shpresoj [për arritjen e një vendimi]. Nëse Dhomat dëgjojnë të vërtetën, atëherë do të kemi një mundësi për një vendim të drejtë dhe një që tregon se klienti jonë është i pafajshëm”, shtoi ai para mediave.

Sot do të dëgjohet dëshmitari i parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi./KSP
 

Ambasadori i Kosovës në Holandë: Çdo seancë monitorohet me kujdesin më të madh

1 muaj më parë / 15 sht 2025 09:44
Dren Doli

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli deklaroi se të gjitha seancat gjyqësore janë monitoruar nga ambasada, siç tha ai, me kujdesin më të madh.

Kështu u shpreh ai para mediave, teksa ka arritur pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

“E përcjellim çdo herë ose online, ose me prezencë fizike. Asnjëherë nuk është asnjë seancë e cila nuk monitorohet nga ambasada me kujdesin më të madh”, deklaroi ai para mediave.

Të dielën, rreth 10 mijë shqiptarë kanë mbajtur protestë masive në Hagë, qytetin holandez ku e ka selinë Gjykata Speciale.

Doli tha se protesta e djeshme e dërgoi mesazhin e duhur, ndërkohë që u pyet se pse dje ishte e pranishme policia pranë ambasadës.

“Nuk e di, ndoshta kanë pasur ndonjë informacion, jo absolutisht, ne asnjëherë nuk kërkojmë mbrojtje nga populli i Kosovës, ajo është ambasada e Kosovës, shtëpia e kosovarëve”, shtoi ai.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të nis sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. /KSP