Arbëri

Ish-ministri serb i Mbrojtjes: Lidershipi shtetëror në Serbi ka faj për ngjarjet në Banjskë

Ish-kreu i Ministrisë së Mbrojtjes dhe anëtari i partisë “Srbija Centar”, Petar Boshkoviq, ka vlerësuar se lidhur me ngjarjet në Banjskë të Zveçanit faj ka lidershipi shtetëror serb, duke shtuar se këtë e vërteton edhe heshtja e tyre, raporton N1.

“Nuk kemi deklaratë nga MPB-ja, BIA, kryeministrja nuk e di se për çfarë bëhet fjalë. Heshtja e tyre thotë se ata janë fajtorë për gjithë këtë dhe duhet të mbajnë pasojat. Ata janë fajtorë edhe nëse nuk e kanë ditur, janë fajtorë edhe nëse kanë ditur”, ka thënë Boshkoviq.

Në anën tjetër, ka shtuar ai, policia e Kosovës e dinte se çfarë do të ndodhte dhe për këtë arsye nuk pati viktima civile.

“Në njërën anë keni amatorizëm të plotë, edhe pse pala kosovare pretendon se janë të trajnuar. Nëse do të trajnoheshin, do të kishin shumë më tepër konflikt. Në anën tjetër, ju keni pasur një transmetim të gjithçkaje, që do të thotë se policia e Kosovës dinte gjithçka. Policia i arrestoi dhe më pas i la të tregonin se nuk janë mizorë, se punojnë sipas rregullores”, ka thënë ai.

Ka thënë se shërbimet serbe e dinin me siguri se çfarë do të ndodhte.

Sipas tij, në Banjskë janë përfshirë edhe shërbimet ruse.

“Kur ke të bësh me krimin, kur ke Arkanin e shekullit të 21-të (Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq), si mendon se do ta kalosh, si mendon se do të mbështetesh tek ata?” – ka pyetur Boshkoviq.

Duke folur për kryeministrin e Kosovës, ai ka thënë se “Kurti është nxënës jashtëzakonisht i mirë i Demaçit, kështu që nga ai ka rezistencë gjatë gjithë kohës. Mos e fajësoni Kurtin që e bën punën e tij - ai dëshiron të bashkojë territorin, ai bën gjithçka që është në interes të popullit të tij”.

Ai thekson se serbët në Kosovë mund të mbrohen vetëm nga NATO.