Arbëri

Ischingeri kritikohet se e ktheu në biznes diplomacinë, Kosova kliente e tij

Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, po kritikohet se ka shfrytëzuar veprimtarinë e tij diplomatike për përfitim pasuror. Kësisoj është vlerësuar nga mediat amerikane dhe gjermane pasi, sipas një hulumtimi të tyre, Ischinger ka bërë klientë të firmës së tij private për konsulencë edhe disa shtete, që kanë qenë pjesë e konferencës së Munichut, në të cilën është organizator. Kosova është në mesin e klientëve të konsulencës së diplomatit gjerman

Diplomati gjerman Wolfgang Ischinger është bërë cak i kritikave të mediave amerikane e gjermane për aktivitetet e tij në diplomaci.

Ischinger, i cili është organizator i Konferencës së Sigurisë në Münich, paralelisht udhëheq edhe një firmë këshilluese, klientë të së cilës janë edhe disa shtete pjesëmarrëse të konferencës.

Kjo po konsiderohet si konflikt interesi meqë, sipas medias amerikane “Politico” dhe asaj gjermane, “Der Shpigel”, në krah të konferencës Ischinger ka pasur edhe përfitime personale pasurore.

Në vitin 2015, Ischinger ka themeluar firmën për konsulenca të quajtur “Agora Strategy Group” dhe në emër të lobimit Ischingerka përfituar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Në vjeshtë të 2018-s, derisa ishte organizuar një konferencë në Minsk, nikoqire e së cilës ishte konferenca e Mynichut, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kishin zhvilluar një takim.

Gjatë asaj kohe firma e Ischingeritpo mundohej ta bënte kliente Qeverinë e Kosovës, gjë të cilën e arriti vetëm disa javë pas.

Sipas këtyre dy mediave, firma e Ischingerit do t’i ndihmonte Kosovës për liberalizim të vizave me BE-në dhe për anëtarësim në NATO.

4 vjet nga ajo kontratë Kosova nuk ka përparuar në arritjen e këtyre dy objektivave për të cilat ka paguar konsulencë.

Se sa ka kushtuar kontrata dhe për sa kohë ka qenë e vlefshme, deri në publikimin e stories nuk është përgjigjur kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj.

Njëjtë nuk janë përgjigjur as nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca.

Me këtë firmë Ischingeri gjeneron të hyra vjetore nga dy deri në tre milionë.