Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

FAZ: Ideja e vjetër e Ischingerit për Kosovën - pajtohemi që të mos pajtohemi

Diplomati gjerman, Wolfgang Ischingeri, para pesëmbëdhjetë vjetësh e propozoi modelin e dy Gjermanive si ide për mosmarrëveshjet midis Kosovës e Serbisë. Tani, shkruan “Frankfurter Algemeine Zeitung”, ideja po kthehet në tryezë nëpërmjet propozimit franko-gjerman

DW - “Beogradi e Prishtina kanë mospajtime rreth targave të automjeteve. Por, në fakt, bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës”, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Algemeine Zeitung”, duke pyetur nëse zgjidhja është e mundur nëpërmjet modelit gjermano-gjerman.

Në artikull përshkruhen bisedimet maratonike mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, për dështimin e të cilave përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e fajësoi Kurtin.

“Më pas u përfshi publikisht ambasadori amerikan. Si përfaqësues të forcës më të madhe mbrojtëse të Kosovës, ambasadorët amerikanë në Prishtinë kaherë janë diçka sikurse ‘mbretër’ jozyrtarë, të cilët asnjë shef i Qeverisë së Kosovës nuk mund t’i injorojë me lehtësi”, thuhet në artikull.

Derisa gazetat ishin në shtyp, në Bruksel u njoftua se marrëveshja ka rënë: Serbia më nuk do të lëshojë targa me akronime të qyteteve të Kosovës, e Kosova do t’i ndalë të gjitha aktivitetet rreth riregjistrimit.

Do të bisedohet edhe më tutje.

Edhe Gjermania s’e kundërshtonte idenë e bashkimit paqësor Kosovë-Shqipëri Shtojca për Kulturë Gjermania s’e kundërshtonte idenë e bashkimit paqësor Kosovë-Shqipëri

“Paaftësia për marrëveshje rreth çështjeve relativisht të vogla teknike bazohet në një konflikt parimor”, shkruan gazeta gjermane. Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe “e bllokon ndërtimin e shtetësisë së Kosovës kudo që është e mundur”.

“Në Prishtinë ka mungesë të perceptimit se veriu i Kosovës, ku dominojnë serbët, nuk dëshiron të integrohet plotësisht në shtet, veçmas jo me kërcënime. Kurti refuzon me kokëfortësi ta pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të enklavave në Kosovë, të cilat në fakt i nënshkroi me BE-në”, ka shkruar “FAZ”. “Në mënyrë që konflikti të shmanget, raportohet se kohë më parë një propozim franko-gjerman e ka nxehur idenë, të cilën qysh në vitin 2007 e ka shtruar në tryezë diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger. Ischingeri asokohe ishte përfaqësues i BE-së në të ashtuquajturën

Treshe e Kosovës, të cilën e përbënte edhe një diplomat amerikan dhe një rus. Ajo në momentin e fundit duhej të shikonte nëse ka mbase një zgjidhje të pranueshme edhe për Beogradin e edhe për Prishtinën, ani se Perëndimi atëherë veçse ishte përcaktuar qëmoti për ta përkrahur pavarësinë e Kosovës”, kujton gazeta.

Ischingeri më 2007, pikërisht për “Frankfurter Algemeine Zeitung”, pati përmendur dy Gjermanitë: “Ekziston një qasje në marrëveshjen bazë gjermano-gjermane të 1972-s, në të cilën as që është përmendur ajo që objektivisht dukej e pazgjidhshme, e që është çështja kombëtare. Natyrisht se gjendja midis Kosovës dhe Serbisë është ndryshe, por nuk duhet përjashtuar mendimin që nga marrëveshja të përjashtohet ajo që duket e pazgjidhshme”, ka thënë asokohe Ischingeri.

Një model i këtillë, vlerëson gazeta, e ofron mundësinë që kuptimet e kundërta për statusin e Kosovës të zhvishen në formën, e cila do të ishte e pranueshme për që të dyja palët. Në marrëveshjen bazë, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore ia pranuan njëra-tjetrës integritetin territorial, porse Boni zyrtar në “Letrën e unitetit gjerman” ceku se edhe më tutje i reshtet qëllimit të bashkimit.

“Kësisoj Beogradi de facto do të mund ta pranonte Kosovën, por që në letrën përkatëse të cekë pretendimet që i ndjek me Kushtetutë për të mos hequr dorë nga Kosova”, vlerëson gazeta.

Motoja e marrëveshjes së tillë, siç Ischingeri e cekte shpesh, do të ishte “Pajtohuni për të mos u pajtuar”.

Edhe OpEd Nga Ohri në Strasburg

“Tani është e qartë se ideja e Ischingerit është kapur në thelb të propozimit franko-gjerman, për të cilin nuk ka një dokument zyrtar dhe as nuk i dihet përmbajtja e fjalëpërfjalshme. Është e pasigurt nëse ky propozim mund të zbatohet”, vazhdon FAZ.

“Një prej arsyeve është ngase BE-ja, si lehtësuesja më e rëndësishme krahas SHBA-së, aktualisht nuk disponon as me shkopin e as me karotën, në mënyrë që të ndikonte te të dyja palët. Karremi i tij dikur më i rëndësishëm – perspektiva e anëtarësimit në BE – më nuk është real, teksa BE-ja hëpërhë nuk e ka gjetur një ofertë të re joshëse. Kjo e pakëson goxha gatishmërinë në Prishtinë dhe Beograd që, nëse duhet, të pranohen edhe kompromise të dhembshme”, konstatohet në artikullin e gazetës.