Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer, derisa është deklaruar rreth zhvillimeve të ndodhura të martën në Bruksel, ka vlerësuar se dialogu dypalësh Kosovë-Serbi nuk po funksionon.
Në një analizë të publikuar nga Serwer mbi bisedimet e 2 majit në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, analisti amerikan ka thënë se për këtë situatë, fajtorë janë të gjithë faktorët e përfshirë.
“BE-ja po paralajmëron për dhunë të mundshme për shkak të këtij ngërçi. Kjo është realiste. Beogradi ka shkaktuar disa herë dhunë gjatë vitit të kaluar në veri të Kosovës. Serbia po përpiqet të tregojë se Kosova nuk mund të qeverisë atje dhe të bëjë që amerikanët dhe evropianët të bindin Prishtinën që ta lejojë Beogradin ta bëjë këtë përmes Asociacionit. Kurti nuk po blen, jo vetëm sepse dëshiron të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe sepse Serbia, SHBA-ja dhe BE-ja po i ofrojnë pak në këmbim. Fakti i qartë është se dialogu ‘bilateral’ Kosovë-Serbi nuk po funksionon. Është joshëse të thuash se askush nuk është fajtor, por do të ishte më e saktë të thuash se janë të gjithë. Evropianët nuk kanë arritur ta bëjnë aderimin tërheqës. Amerikanët thjesht janë zhvendosur në qetësimin e Beogradit dhe goditjen ndaj Prishtinës. Beogradi nuk është realisht i interesuar për asgjë përveç mbajtjes së autoritetit de facto mbi serbët në Kosovë. Prishtina po kërkon falje dhe njohje nga Serbia që ata e dinë se Beogradi nuk do t'i japë”, ka shkruar Serwer.
Ai ka inkurajuar palët që të provojnë opsione të tjera, të tilla si Procesi i Berlinit.
“Qasja shumëpalëshe – që përfshin të gjashtë anëtarët jashtë BE-së të Ballkanit Perëndimor – ka qenë shumë më e suksesshme. I ashtuquajturi Proces i Berlinit vitin e kaluar prodhoi marrëveshje shumë të njohura mbi njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Si Serbia ashtu edhe Kosova i kanë ratifikuar këto marrëveshje, por sigurisht që mbetet të shihet nëse dhe si do t'i zbatojnë ato. Këto marrëveshje të fundit vijnë në krye të angazhimit për një Treg të Përbashkët Rajonal, i cili synon të çlirojë lëvizjen e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit në përgatitje për anëtarësimin në BE”, është shprehur ai.
Edhe
Serwer: Vështirë të ketë përparim në dialog nëse mungon vullneti politik nga Serbia
Serwer ka thënë se në horizont nuk po shihet asnjë marrëveshje përfundimtare midis palëve, andaj sipas tij, është koha që “shfaqja Kosovë-Serbi” të zhvendoset atje ku do të mund të ishte më produktive – në Procesin e Berlinit.
“Kosova dhe Serbia thjesht nuk janë të gatshme të bëjnë për njëra-tjetrën atë që duhet për të përmirësuar marrëdhëniet. Serbia është kthyer drejt lindjes ndërkombëtarisht dhe më pak demokratike brenda vendit. Shtypi i saj i ndikuar nga shteti ngjall çdo ditë entuziazëm antishqiptar. Gjasat janë zero për të kërkuar falje për regjimin e viteve 1990. Kosova është pak a shumë e bashkuar në refuzimin e çdo shkeljeje të re mbi sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Kushtetuta e saj tashmë ofron vende të garantuara në parlament për serbët, si dhe një masë të madhe të vetëqeverisjes për komunat. Asnjë marrëveshje ‘përfundimtare’ nuk është askund në horizont. Kjo është ajo që duhej të prodhonte dialogu dypalësh. Pra, është koha për ta zhvendosur shfaqjen Serbi/Kosovë atje ku mund të jetë më produktive. Procesi i Berlinit është vendi i duhur. Të ngulitur në një kontekst shumëpalësh në të cilin Berlini luan një rol të rëndësishëm, Kurti dhe Vuçiqi mund të luajnë më mirë”, ka shkruar ai.