Procesi i dialogut të Brukselit që ishte promovuar si rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, tani nga njohësit po shihet i padobishëm diplomatike. Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se dialogu praktikisht nuk ekziston teksa thekson se Perëndimi po tregohet më i ashpër ndaj Prishtinës sesa ndaj Beogradit
Dialogu Kosovë–Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shndërruar në një proces të mjegullt dhe jofunksional, thonë njohës të zhvillimeve. Me gjithë deklaratat optimiste nga zyrtarët evropianë dhe takimeve të herëpashershme në Bruksel deri tash pak përparim është arritur në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se ky proces nuk mund të quhet një dialog i mirëfilltë, por më tepër iluzion i shërben menaxhimit të status ‘quo-së’.
Në një bisedë për “Kohën”, Serwer ka adresuar kritika mbi gjendjen aktuale në këtë proces, duke shprehur skepticizëm të thellë për vullnetin politik të të dyja palëve, Prishtinës dhe Beogradit. Po ashtu ka përmendur mungesën e strategjisë serioze nga ana e Perëndimit, përfshirë Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë drejtim procesit.
“Cili dialog Kosovë-Serbi? A ka pasur ndonjë të tillë në gjashtë muajt e fundit, apo madje në një vit? Apo gjatë disa viteve të fundit?”, ka thënë Serwer, teka ka hedhur dyshime serioze mbi ekzistencën reale të një procesi negociues.
Serwer beson se dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka arritur kufijtë e vullnetit politik në të dyja kryeqytetet, ku të dyja palët nuk shfaqin ndonjë interes real për zbatim të marrëveshjeve apo arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, siç pati paralajmëruar Bashkimi Evropian.
“Procesi i udhëhequr nga BE-ja duket se ka arritur kufijtë e vullnetit politik në Beograd dhe në Prishtinë, ku asnjëra prej tyre nuk duket e etur të vazhdojë më shumë veçse të shtiren”, ka thënë Serwer.
Tek ka folur për rolin e SHBA-së për t’i dhënë dinamikë dialogut, Serwer thotë se ka paqartësi dhe mungesë interesi strategjik për t’u përfshirë në mënyrë aktive.
“Nuk kam vënë re ndonjë interes strategjik të Administratës së re të SHBA-së në Kosovë. As nuk shoh ndonjë shenjë se Uashingtoni po ripërcakton përparësitë e rolit të vet në rajon, megjithëse duket se ka ftohje pak ndaj Beogradit”, ka thënë Serwer.
“Qëllimi strategjik për SHBA-në duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe shkëmbimi i ambasadorëve në nivel të plotë. Pastaj, duhet të reduktojë angazhimin dhe bashkëpunimin me Beogradin derisa Serbia të lëvizë në atë drejtim”.
Të ushtrohet presion mbi Beogradin
Serweri thotë se duhet konsideruar edhe vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë, megjithëse dyshon se kjo mund të ndodhë shpejt.
“BE-ja dhe SHBA-të do të mund të ushtronin shumë më tepër presion ndaj Beogradit – për shembull, duke zbatuar të njëjtat sanksione që i kanë vendosur Prishtinës. Por dyshoj se do ta bëjnë këtë”, ka thënë ai.
Refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për të nënshkruar ose zbatuar pikat kyçe të Marrëveshjes së Ohrit është dëshmi, sipas tij, e mungesës së vullnetit politik në Beograd, ndërsa shton se toleranca ndaj kësaj qasje nga ana e BE-së dhe SHBA-së vetëm sa e thellon krizën.
Sipas Serwer, administrata aktuale amerikane nuk ka treguar interes të veçantë as për rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, duke i lënë proceset në dorën e një BE-je që sipas tij ka humbur besueshmërinë si ndërmjetës i paanshëm.
Gjatë presidencës së parë të Trumpit ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. Tani Grenell është caktuar Emisar për Misione të Posaçme dhe deri tash Trump nuk ka caktuar edhe një emisar për dialogun Kosovë-Serbi.
E takimet e deritashme në Bruksel janë zhvilluar kryesisht në nivel të kryenegociatorëve, derisa kanë munguar ato të nivelit të lartë. I fundit u mbajt në fillim të javës, por që nuk prodhoi ndonjë rezultat e as nuk pati diskutime trepalëshe. Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq ka diskutuar për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, tek shtoi se po planifikohet së shpejti të organizohet një takim trepalësh në kuadër të dialogut.
Rruga e paralajmëruar
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, që muajin e kaluar vizitoi Kosovën paralajmëroi se me emisarin e ri, Peter Sorensen do t’i shtjellojnë mënyrat si të bëhet dialogu më produktiv.
Kur ishte pyetur rreth tyre Kallas pati thënë se këtë do ta shtrojnë ndaras me palët në Prishtinë e Beograd. Pavarësisht letrës së Serbisë që ia bëri të qartë më herët BE-së se nuk i zbaton pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas Kallasit, Marrëveshja është fakt dhe duhet të zbatohet.
Dialogu Kosovë Serbi ka nisur në 2011-n mbështetur në një rezolutë të OKB-së duke e mandatuar BE-në si lehtësues të procesit. Por pavarësisht disa marrëveshjeve deri tash ka munguar zbatimi i tyre.
Kosova dhe Serbia u dakorduan edhe në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit. Edhe pse nuk është nënshkruar, Brukseli që lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët, në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Aneksi mes tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. Por zyrtarët serbë publikisht, por edhe me shkrim e patën njoftuar BE-në se refuzojnë t’i zbatojnë pikat që ia konfirmojnë shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar Kosovës.
Rreziku i rikthimit të tensioneve
E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023 dhe më pas sulmin mbi rrjedhën e kanalit “Ibër Lepenc” në nëntor të 2024-s, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës duke e lënë dialogun nën hije.
Në mungesë të dialogut të mirëfilltë, Serwer nuk i përjashton as tash rreziqet e sigurisë që mund t’i kanosen Kosovës. Por, pika më e nxehtë sipas tij, aktualisht është Bosnja e Hercegovina.
“Mendoj se Bosnja është kërcënimi më i afërt për sigurinë, veçanërisht për shkak të lëvizjeve të Dodikut drejt shkëputjes. Kosova-Serbia mund të jenë në radhë”, ka theksuar Serwer.