OpEd

Mikpritja më e ngrohtë në vendin që i duhet urgjent një qeveri

Asnjëherë më parë nuk kam përjetuar një mikpritje më të ngrohtë si diplomat gjerman. Qoftë në takime zyrtare në Prishtinë, apo kur ndaloj për një makiato në një kafene në qytet. Por, sigurisht, unë dhe ekipi im nuk jemi dërguar këtu thjesht për të shijuar kafen e shkëlqyer. Jemi këtu për të punuar dhe do të përqendrohemi në tri fusha kryesore. Por, si fillim, Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri me mandat të plotë

„Oh, ta kam zili!“ – Kështu reagoi ish-eprori im në Konferencën e Sigurisë në Myhih, Ambasadori Volfgang Ishinger, kur i tregova se do të marr detyrën e ambasadorit gjerman në Kosovë. Volfgangu ka një lidhje të thellë me këtë vend, por ky një rrëfim për një herë tjetër. Pas pothuajse tre muajsh qëndrimi në Prishtinë, mund të them se kishte të drejtë: Asnjëherë më parë nuk kam përjetuar një mikpritje më të ngrohtë si diplomat gjerman. Qoftë në takime zyrtare në Prishtinë, apo kur ndaloj për një makiato në një kafene në qytet.

Lidhjet mes dy vendeve tona janë ndërtuar gjatë shumë viteve, shpesh të vështira, dhe sot mbështeten realisht nga qindra mijëra njerëz që ndihen të lidhur dhe të rrënjosur në të dy shtetet, Gjermani dhe Kosovë. Është një përvojë e mrekullueshme ta ndiesh këtë çdo ditë nga afër.

Por, sigurisht, unë dhe ekipi im nuk jemi dërguar këtu thjesht për të shijuar kafen e shkëlqyer. Jemi këtu për të punuar dhe do të përqendrohemi në tre fusha kryesore.

Së pari: Integrimi evropian i Kosovës. Kosova ka pritur për një kohë të gjatë njohjen e plotë ndërkombëtare dhe integrimin. Kudo ndiej lidhjen e thellë me vlerat dhe synimet evropiane në këtë demokraci dinamike. Por ky konsensus i gjerë duhet të kthehet në veprim – përmes aktorëve politikë këtu në Kosovë. Jam i vetëdijshëm se disa nga pengesat në këtë rrugë janë jashtë kontrollit të Kosovës. Dhe padyshim, ndërgjegjësimi për domosdoshmërinë gjeopolitike është rritur në shumë kryeqytete evropiane. Megjithatë, Kosova nuk mund të mbështetet vetëm mbi këtë: procesi ka qenë dhe mbetet i bazuar në meritë. Prandaj është edhe më e rëndësishme që Kosova të përqendrohet në hapat që mund t’i ndërmarrë vetë. Lajmi i fundit se Komisioni Evropian po ecën drejt heqjes së masave ndaj Kosovës pas transferimit paqësor të pushtetit lokal në veri në përfundim të zgjedhjeve të fundit është një zhvillim shumë pozitiv.

Duke rrezikuar të tingëlloj si një “disk i prishur”: Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri me mandat të plotë, që të flasë për shtetin në arenën ndërkombëtare dhe të marrë e zbatojë vendime brenda vendit. Këto rreshta i shkruaj para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndaj shpresoj që një qeveri të formohet shpejt në fillim të vitit 2026.

Ngërçi politik i këtij viti i kushtoi Kosovës humbje të fondeve ndërkombëtare që mund të ishin investuar në zhvillim. Edhe më shqetësuese është se kriza e zgjatur dëmtoi ndjeshëm reputacionin ndërkombëtar të vendit – një pasojë që nuk duket se vlerësohet sa duhet brenda vendit. Kosova nuk mund të lejojë të humbasë edhe një vit tjetër.

Nga një qeveri e re, presim angazhim të fortë në dialogun e normalizimit të udhëhequr nga BE. Zgjedhjet lokale të qeta dhe dorëzimi i administratave komunale tek kryetarët e rinj në veri ishin shenja inkurajuese. Në fund të fundit, të gjitha komunitetet në vend duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre në një Kosovë multietnike.

Fusha e dytë e angazhimit tonë: Progresi ekonomik i Kosovës. Marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të forta, por kanë potencial të madh të zhvillimit të mëtejmë. Për shembull, tregtia jonë është larg ekuilibrit: importet nga Gjermania këtu tejkalojnë ndjeshëm eksportet e Kosovës drejt vendit tim. Do të doja të shihja më shumë prodhim të mallrave dhe shërbimeve inovative në Kosovë që të konkurrojnë në tregun gjerman. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për të nxitur investimet, për të forcuar kuadrin ligjor dypalësh dhe për të promovuar tregtinë. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të krijojë një mjedis tërheqës afatgjatë për investime – që përfshin infrastrukturë moderne, siguri ligjore dhe mirëpritjen e stafit të kualifikuar bashkë me familjet e tyre.

Kam takuar anëtarë të diasporës së madhe të Kosovës në Gjermani. Shpeshherë janë të rinj, të lindur e rritur në Gjermani, qytetarë gjermanë, por me një lidhje të fortë me vendin e origjinës së prindërve e gjyshërve. Dhe mos të harrojmë: me njohuri të gjuhës shqipe. Ku të kem mundësi, do të inkurajoj shkëmbime edhe më të forta – përtej pushimeve gjatë sezonit të verës: për të studiuar një apo dy vjet, për të punuar, për të investuar. Ata janë ura më e vlefshme që kemi mes dy vendeve tona.

Një pjesë e panoramës ekonomike është edhe ndihma jonë zyrtare. Si donatori më i madh dypalësh, ne mbështesim rrugën evropiane të Kosovës: I gjithë bashkëpunimi ynë është i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës dhe përafrimit të saj me kuadrin ligjor dhe politikat e BE-së. Qoftë në investimin dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme, në formim profesional apo në qeverisje të mirë – ne punojmë për rezultate konkrete nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës e të gjitha komuniteteve, dhe që ushqejnë një mjedis të shëndetshëm ekonomik e natyror.

Fusha e tretë që dua ta përmend është: Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor. Në javët e fundit kam hasur ndjenja që variojnë nga mahnitja deri te zhgënjimi, për faktin se dy nga fqinjët e afërt të Kosovës – Shqipëria dhe Mali i Zi - tashmë konsiderohen si pararendës në procesin e anëtarësimit në BE. Dua të jem i qartë: asnjë vend nuk merr “pikë shtesë” vetëm pse fqinjët e tij ecin më shpejt. Koha e humbur është e vështirë të rikuperohet. Por integrimi evropian, në thelb, nënkupton edhe bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje – kështu nisi Gjermania dekada më parë. Në vitin 2026, Mali i Zi do të kryesojë Procesin e Berlinit dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të arrihet përparim i prekshëm për rajonin.

Në fjalimin tim të parë këtu në Prishtinë, thashë se përtej bisedave politike mezi po prisja të eksploroj vendin. Gjatë javëve të mia të para këtu, kam filluar ta njoh vendin: duke vrapuar të dielën në Parkun e Gërmisë, duke shëtitur në qendër të Mitrovicës, duke marrë pjesë në një shërbesë në katedralen e Gjakovës, vizituar manastirin e mrekullueshëm të Deçanit dhe nderuar viktimat e masakrës së Krushës së Madhe. Me padurim pres shëtitjet malore në pranverë e verë.

Në vitin 2026, Kosova do të shënojë 18-vjetorin e pavarësisë dhe mezi pres të jem pjesë e festimeve. Me tetëmbëdhjetë vjetët e saj, Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi evropian – një arritje të cilën duhet zgjeruar.

Autori është Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.