Arbëri

Isa Mustafa kujton Ukë Bytyçin: Vrasja e tij ishte goditje e rëndë për Kosovën

Sot bëhen 18 vjet nga vrasja e ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi. Në 18 vjetorin e vrasjes, Ukë Bytyçin e ka kujtuar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Mustafa nëpërmjet një shkrimi ka thënë se Uka ishte një personalitet i veçantë, i urtë e modës dhe i afërt me të gjithë qytetarët. Derisa shton edhe se vraja e tij ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj.

“Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në 18 vjetorin e vrasjes përkujton veprimtarin e LDK-së, ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçin. Sot, bëhen 18 vite nga vrasja, e kryetarit të Komunës së Suharekës, veprimtarit dhe patriotit të pashoq, Ukë Bytyçi. Uka ishte një personalitet i veçantë, i urtë e modest, punëtor dhe shumë i afërt me të gjithë qytetarët, kjo u dëshmua edhe në fitoret e tij plebishitare. Ai ishte një prej themeluesve të LDK-së, kryetar shumëvjeçar i LDK-së në Suharekë, mik i afërt i Presidentit Rugova dhe pjesë e plejadës së burrave të mëdhenj që dhanë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pasi ai shënoi fitore në Suharekë, u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën as LDK-së, Suharekës dhe as Kosovës dhe vrasja e tij ishte mënyra e vetme për ta mposhtur atë në fitoret e vazhdueshme të tij. Vrasja e tij ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj. Ukë Bytyçin do ta kujtojmë përherë si pishtar i demokracisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e pabesë e tij, mbetet dhimbja e madhe jo vetëm për familjen Bytyçi, por edhe për LDK-në dhe gjithë Kosovën, që humbi burrin e madh të Suharekës, liderin e përmasave kombëtare, Ukë Bytyçin. Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit!”, ka shkruar kryetari Mustafa.