Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IPK-ja rekomandon suspendimin e zinxhirit komandues të Policisë në Gjilan pas tragjedisë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së, përfshirë komandantin e stacionit policor në Gjilan, Alban Ramushi, zëvendësin e tij, Naser Rrahmani dhe shefin e operativës, Negovan Mihajloviq, për shkak të tragjedisë së ndodhur të martën në këtë qytet. Po ashtu, është rekomanduar edhe suspendimi i një zyrtari të stafit civil.

Pjesëtarja e PK-së, Valdete Bllaca, dyshohet se të martën në mesditë, me armë zyrtare vrau prindërit, dy vëllezërit dhe veten, raporton Koha.net.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas raportimit për incidentin në Gjilan ku dyshohej se ishte e përfshirë një zyrtare policore, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes në lagjen 'Bujanina'", thuhet në njoftimin e IPK-së. “Ekipet e hetuesve të IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe zyrtarë të PK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast me pasoja tragjike. Bazuar në këto veprime hetimore dhe pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës pas grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak në stacionin Policor Gjilan i ka rekomanduar, sot Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së lidhur me këtë rast”.

Sipas komunikatës, rekomandimi për suspendimin e komandantit të stacionit policor, zëvendës komandantit policor, shefit të operativës të stacionit policor dhe një zyrtari të stafit civil, është bërë në interes të hetimit dhe të njëjtit janë duke u hetuar nga IPK me dyshimin së kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.