Pas publikimit të kronikës në KOHA për vrasjen e katër djemve të Sheremet Sejdiut, 28 vjet pas këtij krimi, dëshmia e 83-vjeçarit nga Qirezi është dëgjuar për herë të parë edhe nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Sediu ka thënë se është i kënaqur që dëshmia e tij është dokumentuar
Tetëdhjetetrevjeçarit Sheremet Sejdiu i është dashur të presë 28 vjet që dëshmia e tij për katër djemtë e vrarë gjatë luftës t’i dokumentohet. Teksa për gati tri dekada historinë ia ka rrëfyer secilit vizitor, ai ka pritur që atë ta shpalosë edhe para shtetit.
Për të parën herë të enjten, ai ka treguar për ditën e 28 shkurtit të 1998-s, kur i ka gjetur të bijtë e tij të vrarë në oborrin e shtëpisë pas masakrës që forcat serbe e kanë kryer në Qirez dhe në Likoshan, para përfaqësuesve të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).
E këtë e ka kualifikuar me vlerë të lartë.
“Për mua nuk ka të paguar që të ruhen këto në dokumente. Tjetër është fjala ime, tjetër janë dëshmitë që kanë qenë fakte të gjalla. Që 28 vjet, ndoshta gaboj”, është shprehur ai pas dëshmisë së thënë nga shtëpia e tij.
Disa ditë pas transmetimit të kronikës në KOHA, në të cilën Sheremet Sejdiu pati rrëfyer për ditën e vrasjes së katër djemve të tij, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka marrë dëshminë e tij për gjithçka që ai ka parë dhe ka përjetuar gjatë luftës.
Blerim Halili, udhëheqës i Divizionit për Hulumtime Akademike në IKKL, ka thënë se rrëfimi i Sejdiut do t’i shërbejë dokumentimit të krimeve të luftës që janë kryer në Kosovë.
“Rrëfimi i bacit Sheremet padyshim se do të ruhet në arkivin e institutit, me protokollet më të larta shtetërore dhe do të shërbejë edhe në të ardhmen për gjeneratat e ardhshme si një bazë, si një referencë e rëndësishme për zhvillimin e hulumtimeve të ndryshme për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë”, ka theksuar Halili.
Ai ka thënë se distanca e kaluar kohore që nga periudha e luftës paraqet një prej sfidave kryesore në këtë proces.
“Instituti nuk bazohet vetëm te një burim informacioni, mirëpo intervistat, ndonëse nuk e kanë as kualitetin e as detajet e mjaftueshme siç do t’i kishim p.sh 2000 ose 2005 kur ka qenë periudha me e afërt me periudhën e luftës mirëpo megjithatë edhe tani kur po i realizojmë, ato kanë një peshë të veçantë dhe ato bashkohen me informacionet tjera që posedon instituti”, ka thënë ai.
Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës është në pritje që të marrë dëshmi edhe nga bashkëshortja e djalit të madh të Sheremet Sejdiut, e cila ka qenë e pranishme kur forcat serbe i kanë vrarë të katër djemtë e tij. Po ashtu, pritet që të realizohen edhe intervista të tjera me qytetarë në Likoshan dhe në Qirez, e ku 28 vjet më parë policia serbe pati vrarë gra, pleq, burra dhe të rinj të paarmatosur në oborret e shtëpive të tyre.
Masakra në Likoshan dhe në Qirez, në të cilën janë vranë 24 persona, është e para nga ato që shteti serb i ka kryer në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.