Arbëri

Dëshmia për katër djemtë e vrarë, të cilën shteti s’e dokumentoi

Çdo ditë të tij Sheremet Sejdiu e kalon me dhimbjen e humbjes së katër djemve të tij gjatë luftës së fundit. Qe 27 vjet prejse serbët kryen krimin, dëshmia e 83-vjeçarit e as e anëtarëve të mbijetuar të familjes nuk është marrë nga institucionet. Rrëfimi i tij shpërfaq vonesën e Kosovës në dokumentimin e krimeve të luftës

Në odën e tij në Qirez, Sheremet Sejdiu jeton prej 27 vjetësh me dhimbjen e pashëruar të humbjes së katër djemve, të vrarë nga forcat serbe në oborrin e shtëpisë. Atë ditë, më 28 shkurt 1998, Likoshani dhe Qirezi u shndërruan në skenë të masakrës së parë të madhe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.
Sheremeti rrëfen historinë për secilin vizitor. Dhe, pret që ky rrëfim edhe t’i dokumentohet nga shteti.
I ulur në odë, ai kthen mendjen gjithmonë tek ajo ditë. Në mur janë katër fotografi. Katër fytyra të reja që nuk mbërritën të plaken. Përkrah tyre, një fotografi tjetër, më e rëndë se të gjitha, e shkrepur pikërisht në këtë odë: Sheremeti i ulur në mes, e në të dy anët e tij trupat e të katër djemve të vrarë: Në njërën anë binjakët Nazmiu dhe Bedriu që ishin 24 vjeç, e në krahun tjetër Beqiri 36 vjeç dhe Bekimi 23 vjeç. Ishte hera e fundit që i kishte të gjithë bashkë.

Kur djemtë iu vranë, Sheremeti nuk ishte në shtëpi.

“Atë ditë jam kanë te vëllau, edhe kam ardhë prej atje. Kam nejtë në mal atë natë, krejt natën. Nuk kam ardhë deri të nesërmen në 3 ora kur janë largu forcat serbe. Kur po vi, pashë njerëz para meje, janë kanë s’di sa vetë”, tregon Sheremeti. “Dy djemtë i kishin pas shti mrena, e dy hala jo. Sa njeri u kanë, sa dhimbja”.

Gjatë 27 e 28 shkurtit të 1998-s, në Likoshan e Qirez u vranë 24 shqiptarë, përfshirë edhe gra e pleq. Forcat serbe u hakmorën në civilë, pas një përballjeje me njësite të UÇK-së, e në të cilën mbetën të vrarë disa policë serbë.

Nata mes trupave të djemve

Babai i katër djemve që iu vranë tregon se çfarë ndodhi në oborrin dhe shtëpinë e tij.

“Në mahallën tonë kanë qenë dy helikoptera, kanë ardhë e janë hy mbi 100 vetë. Gruja dhe reja janë kanë. Reja është hala gjallë. Reja thotë shumë herë se në stom të odës ju vike komanda tri uniformave këtu. Janë ardhë, janë hi mrenda. Djali i vogël Bekimi ka kujtu se kërkush nuk guxon me hy brenda. Besniku (nipi i tij v.j.) ka nejtë veç me të, në prehër të tina. E kish pas marrë një sakicë edhe ka thënë: ‘nanë mos e ki gajle se s’ka kush që vjen e hyn’. Ata i kanë qit krejt jashtë. Beqiri e ka ditë serbishtën edhe ju ka thënë shtrenu për toke. Beqiri me nanë, me gru... del edhe Bekimi. Ata ishin në bodrum, dy binjakët, me do tjerë të katundit. Bekimi kur del prej aty e kishin pas gju, i kanë ba me dyer e me dritare llom. Tanaj, kanë hi mrena. Kur del Bekimi jashtë me nipin Besnikun në dorë, edhe ka dasht me u rrokë me ta, e kanë rrehë. Qohet gruaja e ju thotë: ‘Zoti ju vraftë, a rrehet fmija?’”, rrëfen Sheremeti.

Ai tregon edhe momentin më dramatik.

“I kanë marrë. Tenka u kanë në oborr, dhe kanë dashtë me mi shti mrena në tenkë. Në bodrum janë kanë dy binjakët, djali i Seferit, Iliri. Beqa i Brahimit u vra këtu. Katër janë kanë. Njani binjak ka thanë: ‘pa shku me u përshëndet me nanën sa jam gjallë, s’e la. Ai hin në oborr, Nazmia me menimin me ardhë të nana e vetë edhe e presin dhe e vrasin Nazminë. Bedrinë te një kamxhik te koshi. Bekimi e Beqiri janë kanë ma poshtë, atje i ka vra helikopteri”, rrëfen për vrasjen e të bijve, Sheremeti.

Pasi serbët u larguan, trupat e të katër djemve i vendosën në odë.

Sheremeti tregon edhe për natën e fundit që e kaloi pranë tyre.

“M’ka dalë gjumi. Kam ardhë këtu e i kam marrë ngrykë të katërtit, edhe kom shku kam ra anej. Nuk më ka marrë gjumi. Kam ardhë i kam marrë apet ngrykë. Katër herë, pasha qeto vjet, kam hi e i kom marrë ngrykë. Veç me Zotin, fikall vetëm”, u shpreh ai.

Që nga ajo kohë, Sheremet Sejdiu ka jetuar me gruan dhe familjen që la pas djali i madh Beqiri, bashkëshorten, nipin dhe mbesën. Kur janë bërë gati tri dekada nga krimi, dëshmia e 83-vjeçarit dhe familjarëve që ishin dëshmitarë të krimit, ende nuk është marrë nga institucionet. 

“Jo valla, veç gazetarë, se kështu dikush tjetër nuk ka ardhë”, tregon ai.

Vonesa në dokumentim

Kosova ka Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i themeluar me ligj në 2023-n. Një i tillë ka funksionuar edhe më herët, por është shuar. Misioni i këtij instituti është dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, psikologjik, mjeko-ligjor dhe sociologjik.

Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, thotë se për masakrën në Likoshan e Qirez deri më tani janë mbledhur materiale dhe dëshmi nga rreth 300 familje, nga 650 sa janë planifikuar, ndërsa thotë se

Sheremetit nuk i është marrë dëshmia.

“Kemi qenë edhe në Qirez. Fatkeqësisht nuk kemi arrit me intervistu bacën Sheremet, por e kemi vizituar me krejt ekipin memorialin i cili gjendet para shtëpisë së tij. Kur kemi shku, kemi shku vetëm në vizitë dhe procesi i intervistimit i ka disa procedura përgatitje paraprake që duhet të bëhen. Mendoj që këto vizita të intensifikohen edhe më tepër. Nuk kemi arritur që te gjithë familjarët, fatkeqësisht, qoftë me vizita, qoftë me mbledhjen e dëshmive por arsyeja nuk është mungesa e gatishmërisë, por arsyeja është: është thjesht e pamundur edhe teknikisht për një periudhë të shkurtë kohore të mbulohen të gjithë”, tha Hetemi. “Instituti e ka numrin e kufizuar të zyrtarëve dhe është në konsolidim e sipër, dhe tash derisa po flasim megjithëse kemi arritur që gjatë kësaj periudhe 2 vjeçare t’i funksionalizojmë të gjitha departamentet, prapëseprapë ka punë për të bërë, por sigurisht që mbetet një prej prioriteteve tona siç thash t’i mbulojmë të gjitha këto raste”. 

Pas intervistës së KOHËS me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, Instituti ka bërë të ditur se më 6 janar do ta vizitojë familjen e Sheremet Sejdiut për t’i dokumentuar rrëfimet e tyre të luftës.

Hetemi tha se instituti të cilin e drejton, përballet me jo pak sfida. E, sfidën më të madhe tha se e përbën fakti që dokumentimi bëhet më shumë se 25 vjet pas luftës.

“Sfidë paraqet edhe kjo, fakti që një numër i të mbijetuarve apo i atyre që kanë poseduar materiale të kësaj natyre ndoshta kanë ndërruar jetë, por në raste të tilla ne kujdesimi që të jemi në kontakt me familjarët e tyre, të cilët e kanë trashëgu atë material. Fatkeqësisht ka pasur raste që dëshmitarët mund të kenë vdekur dhe ne nuk kemi arritur, si shoqëri, si vend, jo vetëm si Institut, sepse instituti është krijuar vonë”, thotë Hetemi.

Para IKKL-së ka funksionuar një mekanizëm tjetër. Në vitin 2011, nëpërmjet një vendimi Qeveria Thaçi ka themeluar Institutin për mbledhjen e fakteve mbi krimet e luftës. Instituti ishte aktiv deri në vitin 2018 dhe ka finalizuar disa botime, përfshirë për të pagjeturit dhe raporte mbi shkatërrimin e pasurisë materiale të shqiptarëve.

Instituti u mbyll gjatë qeverisjes Haradinaj.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), e më pas për dhjetë vjet nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Në vitin 2018 EULEX-i përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore, nga e cila kohë ndjekja dhe gjykimi i rasteve të krimeve të luftës bëhet nga institucionet e Kosovës.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH Kosovë) ka zhvilluar disa projekte për dokumentimin e krimeve të luftës dhe bën monitorimin e procedurave gjyqësore në lidhje me pasojat e luftës të fundit. 
Drejtori Bekim Blakaj thotë se Kosova është vonuar me dokumentimin e krimeve.

“Tashmë kanë kaluar 26 vite nga përfundimi i luftës dhe gjatë kësaj periudhe kohore sigurisht që shumë dëshmi kanë humbur, janë zhdukur e dokumentimi tash mundet me u fokusu në deklarata të dëshmitarëve, të mbijetuarve, pra në intervistimin e tyre e më pak ka prova materiale. Ndoshta për prova materiale as nuk mundemi me folë më, por të themi, në dokumentet e shkruara ka ende kohë që të mblidhen ato”, ka thënë Blakaj.

Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë më proaktive në mbledhjen e dokumentacionit dhe provave eventuale kudo që janë. Sipas tij, është shumë e rëndësishme edhe analizimi dhe sistematizimi i tyre. 

“Kjo është ë vetmja mënyrë që me tentu me i pasë ato narrativat e sakta mbi secilën ngjarje që ka ndodhur gjatë luftës. Pra, mbi secilin krim që ka ndodhur gjatë luftës”, ka thënë Blakaj. “E rëndësisë së njëjtë është edhe analizimi i këtyre dokumenteve, sepse nuk mjafton me u mbledhë ato edhe me u arkivu diku pa u analizu, pa u futë në një softuer, sepse atëherë mundet me u shndërru në një dokumentacion që nuk është i shfrytëzueshëm”.

Ai foli edhe për mënyrën se si mund të shfrytëzohen e dëshmitë dhe provat materiale të mbledhura.

“Dokumentimi mundet edhe duhet me u shfrytëzu për memorializim, për krijimin e narrativave të sakta, mundet me u shfrytëzu në edukimin e të rinjve. Në fakt, është krucial në edukimin mbi ballafaqimin me të kaluarën. Mundet dokumentimi me i ndihmu shumë edhe prokurorit, edhe nxjerrjes së drejtësisë për viktimat, mirëpo në përgjithësi për gjeneratat e ardhshme dokumentimi ka me shërby për përshkrimin e historisë së vendit tonë, pra historisë së saktë”, ka thënë Blakaj. “Në Kosovë janë dokumentuar viktimat e krimeve të luftës, shkeljet masive që kanë ndodhë gjatë periudhës së luftës, pra shkeljet e të drejtave të njeriut. Mirëpo kjo është bërë më shumë nga shoqëria civile e mediat, rastet të ndryshme i kanë dokumentuar e kisha thanë më pak nga institucionet e shtetit”.

“I lumi unë...”

Në regjistrimin e popullsisë nga Agjencia e Statistikave, të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, që për herë të parë u publikuan të dhëna për dëmet e luftës, thuhet se gjatë periudhës 1998-99 janë vrarë 11.417 persona e janë plagosur 6682. Ndërsa 193.765 kanë përjetuar dhunë, tortura e pasoja psikologjike. 

Të zhdukur me dhunë konsiderohen edhe afro 1.600 persona, ndërsa institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë akuzuar Serbinë për mungesë bashkëpunimi për zbardhjen e fatit të tyre. 
Dëmet vetëm në ekonomi familjare janë vlerësuar mbi 5 miliardë euro.

Procese gjyqësore për dëme të këtilla mungojnë, ndërsa për shumë masakra nuk ka të dënuar. Dënimin nuk e kanë marrë as vrasësit e të katër djemve të Sheremet Sejdiut.

Edhe pas 27 vjetësh, dhimbja për humbjen e katër djemve nuk e ka lënë Sheremetin, por thotë se ka një lehtësim. 

“Jam mundu me qëndru se nuk është lehtë, ama sot ma lehtë po qëndroj se sot e kemi ba shtetin tonë”, ka thënë 83-vjeçari. “Ishalla s’e provon Zoti kërkanin, po tash m’kanë shku mu e të tjerëve për këtë liri. I lumi unë që e pashë. I lumi unë që po shkoj në komunën tem, e kur po shkoj po shoh vllazën e motra”.