Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se pas një hetimi rreth dy mujor ka arrestuar sot një të dyshuar duke realizuar edhe një bastisje në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, hetuesit e IPK-së kanë realizuar edhe urdhëresën për bastisje në Prishtinë me dyshimin se një zyrtar policor A.I., hetues në Stacionin Policor - Jugu (Drejtoria Rajonale e Prishtinës) ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Inspektorati njofton se sot (09.03.2018) hetuesit e IPK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kanë bastisur një lokacion në Lagjen e Spitalit në Prishtinë ku janë konfiskuar një pistolete me karikator, një armë me mbishkrimin THOMSON, dy fishekë gjuetie, gjashtë fishekë të ndryshëm (dyshohet të jenë pistolete), 7 thika të modeleve të ndryshme, shufër metalike, boks metalik etj. që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.
“Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. IPK ka rekomanduar edhe masën e suspendimit të zyrtarit policor si masë administrative”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Burimet e Koha.net bëjnë me dije se fjala është për policin i cili ndaloi Ramadan Selimin, vëllanë e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Portali ka provuar të konfirmojë zyrtarisht këtë, por as Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës, e as Arbër Beka nga Inspektorati Policor nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin zyrtar policor. Inicialet e publikuara në të dy rastet përputhen.
Deputeti Rexhep Selimi që kishte akuzuar rëndë Policinë e Kosovës e kishte cilësuar si hakmarrje ndalimin e vëllait të tij.
-
Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për dhunë në familje
-
Arrestohet një zyrtar policor nën dyshimin për ngacmim
-
Dyshohet se keqpërdori detyrën, arrestohet polici me detyrë në Njësinë Speciale Operative
-
Arrestohet zyrtari policor në Prishtinë, dyshohet se sulmoi kolegun në vendin e punës
-
Policia bastis tetë lokacione në Prishtinë për armë