Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka inspektuar kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në objektin A dhe D, ku është konstatuar se kushtet janë jashtë standardit të lejuar me ligjet në fuqi. Inspektorati ka kërkuar që deri më 7 korrik të eliminohen parregullsitë e evidentuara, bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi” administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shaban Gërxhaliu.
Inspektimi për kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimit, është bërë të hënën më 30 qershor.
“Mund të ju konfirmoj se dje më datë 30.06.2025 Pallati i Drejtësisë, konkretisht Objekti A dhe D janë vizituar nga Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Të njëjtit kanë inspektuar kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimeve”, thuhet në përgjigjen e Gërxhaliut.
Sipas Gërxhaliut, inspektimi është iniciuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Ky inspektim ka konstatuar se nuk plotësohen kushtet e punës në Pallat.
“Sipas tyre inspektimi është iniciuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Pas inspektimit, të njëjtit me procesverbal kanë konstatuar se në të gjitha hapësirat e inspektuara kushtet e punës del të jenë jashtë standardeve maksimale të lejuara sipas legjislacionit në fuqi”, shtoi Gërxhaliu.
Andaj, bazuar në gjetjet e evidentuara në procesverbal, Inspektorati ka kërkuar nga punëdhënësi që të eliminohen parregullsitë deri më 7 korrik 2025.
“Lidhur me këtë, Inspektorët kanë dhënë afat për punëdhësin deri më 07.07.2025 për eliminimin e parregullsive të konstatuara në procesverbal”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.
Për këtë Inspektim, Gërxhaliu tha se ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Përkitazi me inspektimin janë njoftuar Këshilli Gjyqësorë i Kosovës si punëdhënës dhe Ministria e Punëve të Brendshme si përgjegjës për menaxhimin e objekteve të Pallatit të Drejtësisë”, thuhet në fund të përgjigjes.