Rishikimi i masave antiCOVID në javën tjetër është paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa nga Klinika Infektive kanë thënë se pavarësisht rënies së numrit të të infektuarve, lirimi i tyre duhet të bëhet me kujdes
Pas rreth dy muajsh përballjeje me koronavirusin, në hapësirat e Klinikës Infektive pjesërisht është rikthyer normaliteti.
Nga 120 pacientë, sa trajtonte deri para pak kohësh kjo klinikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, këtë javë trajtim në të janë duke marrë 11 pacientë të infektuar me koronavirus.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj, ka thënë se pavarësisht rënies së numrit të të infektuarve, Kosova vazhdon të jetë e rrezikuar nga valët e reja.
“Ne i kemi gjithsej 11 pacientë. Prej tyre, 9 janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, 2 janë në mjekimin intensiv. Pra, kemi një rënie jashtëzakonisht të madhe të numrit të të hospitalizuarve, dhe rrjedhimisht vetëm kati i tretë është i dedikuar për COVID-19”, ka thënë ai të mërkurën.
Njëkohësisht, në kuadër të tërë Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, 59 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar, 29 prej të cilëve me oksigjeno-terapi dhe 2 në mjekim intensiv.
Në Klinikën e Pulmologjisë, trajtimi mjekësor po u ofrohet 27 pacientëve, të cilët tashmë e kanë kaluar COVID-in. Në Mjekimin Intensiv në Klinikë Infektive janë të hospitalizuar 2 pacientë. Sa u përket spitaleve rajonale, ai i Ferizajt ka numrin më të lartë të pacientëve të shtruar, gjithsej gjashtë, përcjellë nga Mitrovica dhe Gjakova me nga pesë pacientë. Në Spitalin e Gjilanit, ndërkaq, janë dy pacientë, ndërsa në atë të Prizrenit, një pacient i hospitalizuar.
Vishaj ka shtuar se janë të përgatitur për çdo lloj situate, por që lehtësimi i paralajmëruar i masave antiCOVID duhet të bëhet me kujdes.
“Duhet të dimë se jemi edhe më tutje në pandemi, dhe duhet ta dimë që ky virus ende është i panjohur, sjelljet e tij në të ardhmen janë të paparashikueshme, dhe disa masa shtrënguese që janë marrë janë të domosdoshme” ka shtuar tutje ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka treguar se të enjten do ta pranojnë analizën dyjavore nga IKSHPK-ja lidhur me situatën, dhe se javën e ardhshme pritet të ketë rishikim të masave.
“Në varësi prej rekomandimeve që do të jepen dhe varësisht prej shifrave dhe numrave dhe projeksioneve për dy javët e ardhshme, javën tjetër pritet që të bëhet rishikimi i masave, por nuk mund ta dimë se cilat do të jenë masat që do të ndërmerren”, ka thënë ai.
Shkaku i përhapjes së madhe të virusit, Qeveria e Kosovës kishte vendosur disa kufizime antiCOVID, derisa gjatë fushatës zgjedhore e ditën e zgjedhjeve, ato u shkelën në masë të madhe.
Sipas drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili është edhe infektolog, grumbullimet e tilla, si në fushatë e gjatë zgjedhjeve, e shtojnë rrezikun e përhapjes së COVID-19.
Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar 14 raste të reja me COVID-19, ndërsa janë shëruar 61 qytetarë.