Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se deri sot janë testuar 57 mostra të dyshimta me virusin SARS-Cov-2, mirëpo të gjitha kanë rezultuar negative.
Sipas një njoftimi për media, IKSHPK thotë se të dielën kanë marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së se nuk ka asnjë rast të dyshimtë me koronavirus.
“Me datë 08.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK nuk është testuar asnjë mostër në virusin SARS-CoV-2”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre që nga data 1 shkurt e deri më sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë kontrolluar 3.360 udhëtarë.
IKSHP thotë se ardhja e shtuar e udhëtarëve nga zonat epidemike të Italisë së Veriut dhe shteteve tjera me raste të regjistruara, konsiderohet risk i lartë.
Edhe
Kosova ende pa asnjë rast me koronavirus, sipas IKSHP-së
Ata tutje thonë se i kanë rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institucioneve relevante të Sigurisë në Kosovë për ndaljen e përkohshme të fluturimeve në zonat epidemike.
“Por, nëse kjo nuk mund të bëhet për shkaqe tjera joepidemiologjike, atëherë bashkë me Kryeinspektorin Sanitar të AUV të zbatohet kontrolli mjekësor i shtuar për parandalimin e luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Me rastin e futjes së udhëtarëve të këtij fluturimi në aeroport, të kryhet kontrolli shëndetësor dhe sipas udhëzuesit të definimit të rastit të dyshimtë të rekomandohen për vetëkarantinim të obliguar dhe të gjithë udhëtarëve në mënyrë të obliguar t’iu merren të gjitha të dhënat e sakta për vendbanimin e tyre në Kosovë të saktë nën betim për pasojat, si dhe profesionin e tyre”, thuhet në njoftim.
Rekomandimet e IKSHP-së për parandalimin e koronavirusit:
-Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
-Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
-Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
-Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
-Lani duart porsa hyni në shtëpi!
-Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
-Lani duart pas përdorimit të tualetit!
-Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
-Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
-Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
-Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hedhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
-Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
-Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
-Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
-Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
Edhe
IKSHP përsërit se në Kosovë nuk ka koronavirus
-Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
-Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
-Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
-Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.
-Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.
-Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi
-Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave
Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:
-Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.
-Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.
-Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.
-Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë tualet personal.
-Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
-Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.
-Monitoroni simptomet e juaja.
-Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
-Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.
-Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
Edhe
IKSHPK: Në Kosovë nuk ka koronavirus, mos udhëtoni drejt Kinës e vendeve tjera ku është përhapur
-IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!
Ndërkohë njoftohet se në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 08 mars 2020, janë raportuar gjithsej 105.828 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3.584 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 9.161 raste me COVID-19 dhe 251 raste të vdekjes, Itali (233), Francë (10), Spanjë (5), Mbretëri e Bashkuar (2) dhe Holandë (1).