Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër të shtunën ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) përmes të cilit është amnistuar trupi gjykues i cili pretendohet se kishte përdorur gjuhë seksiste dhe paragjykuese ndaj të dëmtuarës në një aktgjykim.
Gjykata Themelore në Gjilan i kishte liruar nga akuza pesë të dyshuar për dhunimin e një 19-vjeçareje, e që IKD-ja thotë se është përdorur gjuhë seksiste dhe arsyetim absurd.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksonte se “viktima ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin, përkundër se e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore,” duke e cilësuar viktimën si “person me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral.” Po ashtu, Gjykata kishte konstatuar se “të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se viktima ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale.”
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kishte iniciuar në KGJK kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj kryetarit të trupit gjykues (i cili e kishte përpiluar aktgjykimin) Aziz Shaqiri dhe dy anëtarëve të trupit gjykues, Ramiz Aziqi dhe Naser Maliqi.
Por, KGJK-ja e ka hedhur poshtë këtë rast, me arsyetimin se shkelja e supozuar disiplinore ka arritur parashkrimin absolut.
“[E] në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i shkeljeve disiplinore të pretenduara për të tre (3) subjektet e këtij hetimi disiplinor. Nga koha e nxjerrjes së Aktgjykimit përkatës të datës 24 mars dhe 28 korrik 2017, kur pretendohet se ka ndodhur shkelja disiplinore e deri me fillimin e hetimit disiplinor ndaj këtyre subjekteve ka kaluar me tepër se dyvite, ndërsa Ligji Nr.05/L-003 për Plotësim Ndryshim të Ligjit Nr.03/L-223, për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili ka qene në fuqi në kohën kur pretendohet se ka ndodhur shkelja disiplinore, me nenin 15, paragrafi 1 (5), kishte paraparë se procedura disiplinore nuk mund të filloj dhe të zhvillohet në Komisionin Disiplinor pasi të kaloj afati njëvjeçar nga njoftimi i pranuar ne Zyrën e Prokurorit Disiplinor për shkeljen e supozuar dhe dy vite nga dita e shkeljes së supozuar”, thuhet në vendimin e KGJK-së.
Edhe
Shala përmend vendimin seksist të Gjykatës së Gjilanit e rastin e gjykatësit Eroll Gashi
“Ky vendim i KGJK është i pabazë. Ligji Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve ka hyrë në fuqi më 10 janar 2019. Ky Ligj [neni 10] përcakton se afati i parashkrimit të shkeljes disiplinore është 5 vite. Pikërisht kjo dispozitë është dashur të aplikohej në rastin konkret, e jo dispozita që tanimë është e shfuqizuar e të cilës i referohet KGJK. Kjo pasi ky Ligj [neni 17.4] përcakton se ‘[m]e hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha ankesat lidhur me shkeljet e supozuara disiplinore, përfshirë ato që pretendohet të jenë kryer para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por për të cilat nuk ka filluar hetimi, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të procedohen nga autoritetet kompetente dhe këshillat, në pajtim me këtë ligj’ “, thuhet në reagimin e IKD-së.
IKD-ja ka vlerësuar se kjo qasje KGJK-së është skandaloze dhe paraqet të kundërtën e llogaridhënies/
“Për shkak të këtij rasti dhe rasteve të tjera të ngjashme që kanë ndodhur në të kaluarën, IKD vazhdon të insistojë se vettingu në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm. Siç është theksuar edhe në të kaluarën, arsyeja se pse në Kosovë duhet të ndodhë vettingu nuk janë thjesht shkeljet individuale, por dështimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit për të adresuar ato shkelje, siç ka ndodhur në rastin konkret”, përfundon reagimi i IKD-së.