Arbëri

IKD: 28 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, më së shumti nga VV-ja

Lëvizja Vetëvendosje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se 28 prej 1,179 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në raste penale. 

Në raportin e IKD-së për listat e kandidatëve, thuhet se 19 prej tyre kanë aktakuza aktive, derisa 12 të tjerë janë dënuar me vendim të formës së prerë në të kaluarën.  

E, numri më i lartë i kandidatëve të përfshirë në raste penale vjen nga Vetëvendosja. 

“Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37% janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive. Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

IKD-ja ka gjetur se 13 kandidatë të LVV-së kanë raste penale, gjashtë të AAK-së, tre të Nismës, dy të PDK-së, LDK me një, Lista Serbe me dy.

“IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale. Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë (6) kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre (3) kandidatë (2.72%), PDK me dy (2) kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy (2) kandidatë (6.06%), KDTP me një (1) kandidat (6.25%) dhe LDK me një (1) kandidat (0.9%)”, thuhet në raport.

Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Kandidatët me aktakuza aktive 

  1. Agim Ceku, AAK - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2019)
  2. Albulena Haxhiu, LVV - Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (2016)
  3. Arbërie Nagavci, LVV, - Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (2019)
  4. Besnik Krasniqi, AAK - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2023)
  5. Cel Gashi, PDK - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2019)
  6. Egzon Azemi, LVV - Sulm ndaj personit zyrtar – 2015 / Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit (2023)
  7. Endrit Shala, NISMA, - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2024)
  8. Faton Thaqi, NISMA - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2021)
  9. Fikrim Damka, KDTP - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2025)
  10. Fitore Pacolli Dalipi, LVV - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2019)
  11. Glauk Konjufca, LVV - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2017)
  12. Pal Lekaj, AAK - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2015) / Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2016) / Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2022)
  13. Rozeta Hajdari, LVV - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2025)
  14. Salih Zyba, LVV  - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2019)
  15. Shkumbin Demajliaj, PDK - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2019)
  16. Slavko Simiq, Lista Serbe - Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi  (2025)
  17. Valon Ramadani, LVV - Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare (2019) / Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2019)
  18. Vesel Krasniqi, NISMA - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar (2024)
  19. Xhelal Sveçla, LVV - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2019)
     

Kandidatët me dënime penale  

  1. Albin Kurti, LVV - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm / Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare (2018) / Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht
  2. Albulena Haxhiu, LVV - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm / Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare (2018) / Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht
  3. Bajram Mavriqi, LVV - Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare (2020) /  1500 euro dënim me gjobë
  4. Endrit Shala, NISMA - Përdorim i armës (2019) / 2,400 euro dënim me gjobë
  5. Enver Hoti, AAK -  Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2022) / 1 vit burgim me kusht
  6. Liza Gashi, LVV - Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare (2023) / 500 euro dënim me gjobë
  7. Milan Aritonoviq, Lista Serbe - Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare (2019) / 500 euro dënim me gjobë
  8. Mytaher Haskuka, LVV - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2016) / 1 vjet burgim me kusht
  9. Rozeta Hajdari, LVV - Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare (2022) - 700 euro dënim me gjobe
  10. Shqipe Pantina, LDK - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2022) / 1 vit burgim me kusht
  11. Teuta Haxhiu, AAK - Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2022) / 1 vit burgim me kusht
  12. Zafir Berisha, AAK - Sulm ndaj personit zyrtar (2022) - 1500 euro dënim me gjobë / Kanosje (2024) - 600 euro dënim me gjobë