Arbëri

Hyseni e quan “miting politik” marshin e studentëve kundër Asociacionit

Zgjim Hyseni nga Partia Social Demokrate e Kosovës (PSD), ka kritikuar marshin e së mërkurës të studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili sipas organizatorëve nuk ishte as kundër Qeverisë dhe as pro Qeverisë.

Hyseni ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se marshi i tyre ishte më shumë si një miting politik sesa si një protestë.

Sipas tij, kur shqetësohesh se do të ndodhë diçka, i drejtohesh Qeverisë, sepse siç ka thënë, vetëm Qeveria vendos për atë që do të ndodhë në Kosovë.

“Unë besoj që protesta që ndonëse është kundër një procesi të caktuar, protesta për nga përkufizimi ose natyra është shqetësim për një gjë që pret që mund të ndodhë. Dhe nëse je i shqetësuar se mund të ndodhë, në rastin konkret protesta na del paksa absurde. Qysh është e mundur që mos me qenë kundër Qeverisë protesta e në anën tjetër me thënë që po tutem që po ndodh. Nëse eventualisht mund të ndodhë, nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç Qeverisë. Nëse protesta për nga natyra është shqetësim për një gjë, ajo gjë nëse ndodh nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç Qeverisë. Nëse nuk i adresohesh Qeverisë ky më shumë është miting politik”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se nëse vendoset pro formimit të Asociacionit, PSD-ja do të protestojë bashkë me studentët te dera e Qeverisë.

Reagimi i tij ka ardhur pasi Getoar Sylaj nga Organizata Studentore “Studim, Veprim, Kritikë” dhe Denis Krasniqi, student aktivist, thanë në “Konfront” se veprimi i tyre të mërkurën nuk ishte protestë por marsh, dhe se nuk ishte i drejtuar as kundër dikujt dhe as pro dikujt.

“Marshi jonë ka qenë i organizuar prej studentëve, ishte vetëm mendim të cilin ne e kemi shprehur. Nuk ia kemi drejtuar specifikisht as Qeverisë dhe as ndërkombëtarëve por të gjithëve bashkë. Nuk ka qenë as pro Qeverisë as kundër Qeverisë, as pro ndërkombëtarëve dhe as kundër ndërkombëtarëve. Nuk besoj që ka qytetarë të Kosovës që e pranon një Asociacionin një etnik”, ka thënë Krasniqi.