Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hyland: Kosovës i duhen më shumë gra të angazhuara

Zëvendësshefja e misionit të SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland ka thënë se Kosovës i duhen më shumë gra të angazhuara në çdo aspekt të jetës.

Në hapjen e Javës së Gruas, ajo ka thënë se kjo javë është kremtim dhe mundësi për t’i thyer barrierat për pjesëmarrjen politike e ekonomike të grave. Sipas saj, Kosova duhet të tërheq talentin e çdo qytetari.

“Duhet ta pranojmë që në këtë çast nuk po ndodh. Veç nëse e shohim përbërjen e Qeverisë tash Kosova nuk po del mire janë vetëm dy ministre. Ndërsa në Kuvend asnjë Grup parlamentar nuk udhëhiqet nga një grua. Nëse i shohim 38 komunat asnjë kryetare e komunës nuk është femër”, ka thënë Hyland, përcjell Koha Ditore.

Sipas saj me këtë problem nuk përballet vetëm Kosova, por se duhet t’iu jepet më shumë mundësi grave të talentuara dhe të përkushtuara.

Edhe kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova ka gra të suksesshme dhe mund të krenohet me to, ndërsa ka bërë thirrje për më shumë përfaqësim të grave në vendimmarrje.

“Ne kemi dhënë shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar për udhëheqje grave: Presidencë, Gjykatë Kushtetuese, Komision Qendror të Zgjedhjeve, Zëvendëskryeministre, Ministre, Ambasadore. Natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Por, janë shenja dhe zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë dhe përfaqësimi i grave në vendim-marrje duhet të rritet në përputhje me legjislacionin që vetë e kemi miratuar”, ka theksuar Veseli.